Italia humb Buffonin

Italia do të jetë pa portierin Gianluigi Buffon për ndeshjen kundër Anglisë, në Grupin D të Kampionatit botëror. Kapiteni i Azzurrëve do të mungojë për shkak të një lëndimi.

Sport

14/06/2014 17:10

Gianluigi Buffon nuk do të jetë në portën e Italisë për ndeshjen kundër Anglisë në mesnatë, në duelin e tyre të parë në Grupin D të Kampionatit botëror në Brazil.

Kapiteni i Azzurrëve ka pësuar një lëndim në stërvitjen e fundit në Amazonas Arena, dhe nuk do të jetë në gjendje të luajë kundër skuadrës së selektorit Roy Hodgson.

“Buffon vuan nga një tërheqje në kofshë dhe tani është duke u trajtuar”, shpjegoi selektori i Italisë, Cesare Prandelli.

Mirëpo, në mediat italiane është publikuar lajmi se ai nuk do të jetë në gjendje të rikuperohet me kohë për të zënë vendin e tij në portë kundër Anglisë.

Në vend të tij, në formacionin bazë do të paraqitet portieri i Paris Saint-Germain, Salvatore Sirigu.