Anija do të ankorohet në Maltë, mirëpo Italia dhe disa shtete të BE-së do të ndihmojnë në pranimin e migrantëve, ka thënë kryeministri italian, Giuseppe Conte.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini e pati cilësuar anijen të “paligjshme” para se të bëhej e ditur marrëveshja me Maltën.
Organizata bamirëse gjermane, Misioni për Shpëtim, ka thënë përmes një njoftimi në Twitter se janë duke u përkeqësuar kushtet në anije.
Ndërkohë, një anije daneze ka marrë 108 imigrantë nga një breg i Italisë.
Mosmarrëveshjet për anijen Lifeline kanë ndodhur pas debatit për anijen Aquarius, pasi e fundit është pranuar në portin spanjoll të Valencias javën e kaluar, sepse ishte bllokuar nga Italia dhe Malta.
Qeveria e re populliste italiane ka mbyllur portet për anijet shpëtuese, të cilat drejtohen nga organizata bamirëse në Mesdhe, duke thënë se partnerët e BE-së duhet të kujdesen po ashtu për migrantët që vijnë nga bregu i Libisë.
Liderët e BE-së do të përballen me negociata të ashpra në lidhje me krizën e migrantëve në samitin e Brukselit, që mbahet të enjten.