Itali, tre të vdekur dhe 60.000 ndërhyrje për shkak të zjarreve

Zjarret vazhdojnë shkatërrimin e pyjeve në Itali, që ka rënë pre e të nxehtit ekstrem dhe thatësirës, çka ka shkaktuar tre të vdekur ditët e fundit, ndërkohë që zjarrfikësit raportojnë për një rritje prej 76 për qind të ndërhyrjeve këtë verë.

Bota

08/08/2017 18:55

Të hënën në mbrëmje, zjarrfikësit njoftuan se kanë kryer 1 090 ndërhyrje për zjarre në pyll, nga të cilat 300 në Siçili dhe 150 në Latum, rajoni i Romës.

Në Tivoli, 30 kilometra në verilindje të kryeqytetit, një zjarr i shkaktuar nga një shkëndijë gjatë punimeve në një hekurudhë shkatërroi në pak minuta të hënën në mesditë një shtëpi ku humbën jetën një grua 68-vjeçare dhe mamaja e saj 92-vjeçare.

Në të njëjtën kohë, një burrë 84-vjeçar vdiq të hënën për shkak të djegieve të marra të dielën në rajonin e Napolit, percjell Atsh.

Mes 15 korrikut dhe 5 gushtit, zjarrfikësit italianë kanë zhvilluar rreth 60 000 ndërhyrje për zjarre në pyll, 26 000 më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit 2016, sipas statistikave të publikuara të hënën nga shërbimet e tyre.