Itali, sekuestrohet “BMW-ja e zezë”, por jo 3 autorët (FOTO)

Policia italiane është ende në kërkim të 3 keqbërësve, që po shkaktojnë panik të zonën verilindore të vendit, me vjedhje dhe rrëmbime. Media t italiane fillimisht shkruan për automjetin famëkeq “Audi i verdhë” e më pas “BMW-ja e zezë”.

Bota

07/02/2016 15:21

Sipas policisë në Itali, në zonën e Veronës, një patrullë ndoqi gjatë natës këtë automjet, i vjedhur në Milano përpara disa javësh, që udhëtonte me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë dhe me drita të fikura.

Por, pas një frenimi të papritur, 3 personat që ndodheshin në bord arritën të largoheshin me vrap në fushat jashtë autostradës.

Mediat vendase shkruajnë se, “makina “BMW” u sekuestrua e brenda saj u gjetën dy revole, një “Kallashnikov”, municione, kavo elektrike, targa të vjedhura dhe një aparat që zhurmon frekuencat e telefonave celularë.

Ndërkohë, mësohet se specialistët kanë mbledhur elementë e gjurmë biologjike, të nevojshme për të shqyrtuar nëse banda e “BMW”-së është e njëjta me atë të “Audit të verdhë”.

Komandanti i Policisë Rrugore të Veronës ka thënë se, është e ngjashme “mënyra e lëvizjes, e furnizimit në pikat e karburantit dhe arratisja në këmbë”.

“Audi i verdhë”, i cili u përlesh më policinë dhe ishte shkaktar i vdekjes së një personi në autostradë, u gjet i djegur përpara disa ditësh në afërsi të Trevizos.

Ky rast bëri bujë, sepse fillimisht u akuzua një i ri shqiptar, i cili u paraqit vullnetarisht në polici për të dëshmuar se nuk kishte asnjë lidhje me “Audin e verdhë”.