Ismet Haxha del nga paraburgimi pas pagesës së 20,000 eurove

I është ndërprerë masa e paraburgimit Ismet Haxhës, njërit nga të akuzuarit e “Grupit të Drenicës”, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tij do të vazhdojë.

Lajme

13/08/2014 20:32

Si raporton KTV, me kërkesë të tij, Haxha ka paguar 20 mijë euro dorëzani për t’u mbrojtur në liri.

“Pas kërkesës sonë që ia bëmë gjykatës që të paguajmë kaucionin prej 20 mijë eurosh, në mënyrë që klienti im të mbrohet në liri, gjykata ka vendosur që Haxhës t’ia ndërpresë masën e paraburgimit dhe ai nga e shtuna është i lirë”, ka thënë avokati mbrojtës Mahmut Halimi.

Avokati mbrojtës i ka thënë KTV-së se këtë kërkesë ia kishte drejtuar kryetarit të trupit gjykues, Darius Sileciki, në seancën e kaluar, pasi ai akuzohet për vetëm një vepër penale – krime lufte kundër popullatës civile.

Halimi kërkesën e pati arsyetuar me faktin se ata persona që në procesin gjyqësor të njohur si “Drenica II” janë të akuzuar me nga një vepër penale, janë duke u mbrojtur në liri.