Ismet Beqiri tregon se çka u bisedua në takimin Mustafa-Kurti

Edhe pse nuk është njoftuar, sot kryetarët e partive opozitare, asaj të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti zhvilluan takim.

Lajme

25/09/2018 15:21

Takimi u mbajt në shtëpinë e kryetarit Mustafa, në Prishtinë.

Lidhur me takimin, në një pronconcim për lajmi.net sekretari i përgjithshëm i LDK-së Ismet Beqiri, tha se janë takime të rregullta për t’u diskutuar për çështjet aktuale politike në vend.

“Takimet që po i mban kryetari i LDK-së janë takime të rregullta që po i mban me përfaqësues të ndryshëm të skenës politike, por edhe ato me përfaqësuesit ndërkombëtarë. Nuk ka zhvillim tjetër përpos asaj që e kemi thënë si qëndrim publik të Kryesisë së LDK-së, sa i takon zhvillimeve aktuale në vend, rreth të ashtuquajturës korrigjim të kufijve, por edhe për protestën. Qëndrimi i LDK-së është ai që ka qenë, nuk ka ndryshuar. Për momentin nuk mendojmë se janë shterr gjitha mundësitë institucionale ende. LDK e ka thënë edhe publikisht se kur e sheh të nevojshme edhe LDK mund ta organizojë ndonjë protestë paqësore, por për momentin ky është qëndrimi ynë dhe nuk ka zhvillim tjetër në këtë drejtim”, tha ai për lajmi.net.

Ndërsa për mundësinë e bisedimit edhe për mocionin për rrëzimin e Qeverisë, që u tha pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, Beqiri vlerësoi se nuk është temë e vetëm një takimi, por e të gjitha takimeve që i mban LDK.

“Çështja e mocionit ndaj Qeverisë nuk është temë e vetëm një takimi, realisht në çdo takim tonin por edhe në takimet e kryetarit me përfaqësues të ndryshëm bisedohet kjo temë. Ne si LDK jemi të gatshëm dhe i kemi nënshkrimet për mocion, por nuk është vetëm çështje e jona apo subjekteve opozitare, sepse është fakt se ne aktualisht nuk i kemi votat dhe do të punojmë, do të kontaktojmë ditëve në vijim, pa përcaktuar se kur, me përfaqësuesit e partive në koalicion që të sigurojmë vota, në mënyrë që kur ta bëjmë procedimin e mocionit të kemi sukses”, tha ai.

Rreth qëndrimit të deputetit të Nismës Zafir Berisha, i cili për lajmi.net tha se nuk kanë marrë ftesë nga LDK për mocionin e votëbesimit për rrëzimin e Qeverisë, Beqirit tha se ata kanë bërë vetëm ftesë publike e jo diçka që duhet bërë në mënyrë të veçantë për çdo parti. Ai shtoi se kur të bëhen përgatitjet e nevojshme nuk do mungojnë as ftesat.

“Nisma ka thënë se së shpejti do të marrin qëndrim, kemi edhe qëndrime nga disa zyrtarë të lartë që i shprehin hapur pakënaqësitë me Qeverinë aktuale. Kur mbetet ana formale e një ftese ajo është e fundit, sepse duhet krijuar klima, opinionin që të marim mbështetje. Ftesa jonë është publike, nuk është diçka që duhet bërë në mënyrë të veçantë. Por sigurisht kur i bëjmë gjitha përgatitjet e nevojshme normalisht nuk do mungojë as ftesa, nëse duhet edhe me shkrim, për t’ia bërë partnerëve të koalicionit. Nuk po e komentoj qëndrimin e zotëri Berisha, por vetëm po them se nuk do të jetë kurfar problemi që një kërkesë të tillë ta bëjmë edhe me shkrim, t’i drejtohemi zyrtarisht Nismës por edhe partive tjera apo deputetëve që participojnë”, tha ai./Lajmi.net/