Ismajli: Presim vizitën e ministrave serbë në Prishtinë

Ministri në detyrë për Zhvillim Ekonomik, Dadil Ismajli, ka thënë se pret që pas qëndrimit të tij në Konferencën e Beograd, të ketë vizitë edhe të ministrave serbë në Prishtinë.

Lajme

23/10/2014 18:40

Në Beograd, ku po mbahet “Konferenca për Menaxhimin dhe Lidhjes Ekonomik”, përveç zyrtarëve tjerë rajonalë, po marrin pjesë edhe dy ministra nga Qeveria e Kosovës, Enver Hoxhaj, ministër i Jashtëm dhe Fadil Ismajli, ministër i Zhvillimit Ekonomik.

Në një prononcim për mediumin serb, B92, Ismaili ka thënë se ky takim po shërben për të ngritur bashkëpunimin rajonal.

“Besoj se do të ketë edhe mesazhe nga liderët politikë nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, që të tregohet se jemi të gatshëm të punojmë në favor të standardeve më të mira dhe interesit të qytetarëve tanë”, ka thënë Ismajli, transmeton lajmi.net.

“Nëse ktheheni 100 vjet përpara, por edhe më pak, dhe të shihni ku ka qenë Europa Perëndimore. Edhe ata kanë pasur konflikte dhe mospajtime në mes vete. Por tash, para selisë së Komisionit Europian e kemi shtatoren e Schuman-it, i cili në mënyrën më të mirë ka treguar se çfarë është e rëndësishme, e ato janë paqja dhe prosperiteti. Ne këtë po e bëjmë tani në këtë forum ekonomik. Po mundohemi që të dakordohemi në projektet të cilat do të stabilizonin kufijtë në mes të shteteve të rajonit dhe mundësonin një të ardhme më të mirë për të gjithë ne”.  

Ai ka shtuar se beson që pas këtij forumi, do të ketë vizita nga ministrat serbë në Prishtinë.

“Shpresoj që edhe kolegët e mi nga Beogradi, në të njëjtën mënyrë, do të vlerësojnë këtë takim. Kemi pasur takime edhe jashtë Beogradit, tani jemi këtu, kemi qenë së bashku edhe në Brukesl kur kemi biseduar për energjetikë, ndërsa sot kalojmë në gjëra tjera. Unë, dhe kolegët e mi në Prishtinë, me dashamirëse presim që takimi i radhës të mbahet në Prishtinë”, ka thënë Ismajli.  (lajmi.net)