Ismajl Tasholli: Takimi Kurti-Mustafa për konsumim ditor, zgjedhjet nuk sjellin ndryshime

Filozofi Ismajl Tasholli është shprehur skeptik sa i përket takimit në mes të kreut të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa.

Lajme

25/09/2018 22:18

Në një interviste në Zona B të Klan Kosovës, Tasholli ka thënë se ka pasur takime të tilla edhe më parë dhe se kjo duket si një “deja vu”.

“Ky takim më shumë duket të jetë për konsumim ditor. Nuk pres rezultate prej atij takimi duke pasur parasysh pikëpamjet e kundërta”.

“Vetëvendosje pretendon t’i zgjidhë problemet në rrugë kurse LDK-ja thirret në atë se është parti institucionale që pretendon t’i zgjidhë problemet përmes institucioneve”.

Megjithatë, për Tashollin një koalicion në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së është i mundshëm, ndonëse jo parazgjedhor.

“Zgjedhjet e reja do t’i konvenonin LDK-së dhe VV-së. Në kontekstin politik që ndodhemi mendoj se ato do të përfitonin. Ky kontekst politik i fuqizon ato”.

“Koalicioni në mes këtyre dy partive është i mundshëm. Mendoj se koalicioni në mes të VV-së dhe LDK-së është koalicioni i ardhshëm. Por jo koalicion parazgjedhor”.

Ndërsa në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të reja Tasholli nuk është shprehur optimist. Sipas tij, duke u bazuar në përvojën politike të viteve të fundit , zgjedhjet nuk do të sillnin ndryshime.