Ismaili: Qytetarët s’do të kenë nevojë të kërkojnë shërbime shëndetësore jashtë vendit

Ministri i ri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka paralajmëruar se do të sjellë ndryshime të mëdha në këtë dikaster.

Lajme

13/09/2017 22:25

Ismaili ka deklaruar se do të nisë një punë të mirë në këtë ministri, përmes transparencës dhe llogaridhënies.

“Në qoftë se arrijmë një transparencë më të madhe dhe llogaridhënie më të madhe, nuk po them që do t’i zgjidhim të gjitha problemet, mirëpo do të kemi një zhvillim të mirë. Dëshiroj të krijoj një model i cili mund të shikohet si shembull”, ka thënë Ismaili.

Tutje, Ismaili ka thënë që duke përmirësuar shërbimet shëndetësore, të cilat aktualisht mund të ofrohen në Kosovë, do të tentojnë të ndalojnë eksportimin e parave të qytetarëve që kërkojnë shërbime shëndetësore jashtë vendit, siç është Maqedonia.

Ndërsa faktin që ai nuk vjen nga sistemi shëndetësor, nuk është mjek, Uran Ismaili e sheh si pozitiv, përderisa ka thënë që do të tentojë që edhe bashkëpunëtorët e tij të mos jenë të gjithë brenda këtij sektori.

“Aktualisht bashkëpunimin mendoj të filloj me dy donatorë të fuqishëm që janë brenda ministrisë, një fondacion nga Luksemburgu dhe një nga Banka Botërore. Ndërsa ekipin rreth vetes do ta zgjedh me kujdes dhe do të mundohem që personat rreth vetes mos të jenë vetëm brenda sistemit. Besoj shume që këtë ministri do e lë më mirë”, deklaroi Ismaili, në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës.