Ismaili për vdekjet e dyshimta në QKUK: Do t’i identifikojmë dhe sanksionojmë përgjegjësit

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është shprehur i pakënaqur me nivelin e shërbimit shëndetësor që ofron stafi i këtij sektori.

Lajme

11/10/2017 19:00

Sipas tij, në kohën kur ai e ka pranuar postin e Ministrit të Shëndetësisë ky dikaster veçse ka qenë i stagnuar sa i përket shërbimeve ndaj pacientëve.

”Si Ministër i Shëndetësisë nuk jam i kënaqur  me nivelin shëndetësor që ofrojmë. Kosova ka stagnuar sa i përket shërbimeve shëndetësore, por kjo na bën të vetëdijshëm të ndryshojmë e të ecim përpara”.

Duke komentuar gjendjen e sistemit shëndetësor në Kosovë, Uran Ismaili në Klan Kosova ka potencuar se rasti i vdekjeve të dyshimta në QKUK nuk do të mbetet pa u zbardhur.

Ai ka thënë se policia e shtetit është marrë me këtë çështje dhe përgjegjësia nuk do të mbetet në ajër.

”Kur kam ardhur në detyrën e ministrit ka qenë situatë konfuze, por kam formuar komisionet e duhura që të riorganizohen e të merren me rastin”.

”Shteti është marrë me këtë punë. Sigurisht që do të gjendet autori dhe përgjegjësia nuk do të mbetet në ajër. Vozitës i kësaj çështjeje është Prokuroria e Shtetit”.

”Kushdo që është, pa marrë parasysh njeriun, emrin mbiemrin – do të marrin atë që meritojnë”.

”Sektori ka potencial, kemi popullatë të re që kërkesat e për shërbim shëndetësor i kemi më të ulëta”, ka përfunduar ai, transmeton Klan Kosova.