Ismaili: Mbrojtje shëndetësore dhe qasje të barabartë për të gjithë qytetarët

Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili tha sot se është i përkushtuar që të gjithë qytetarët e vendit të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore cilësore, në çdo vend dhe kohë, pa u përballur me vështirësi financiare.

Lajme

20/04/2018 13:18

Ai deklaroi kështu në shënimin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, e cila këtë vit ka për temë: “Mbulimin Shëndetësor të Përgjithshëm”, me moton: “Shëndet për të gjithë”, që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë, me mbështetjen e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë. Ministri Ismali tha se mbulimi shëndetësor i përgjithshëm, është një përcaktim politik, por dhe më tepër se aq, kërkon vizion, guxim dhe maturi dhe se është një ndërmarrje komplekse me sfida nga me të ndryshmet që ndër të tjera kërkon një planifikim dhe tranzicion të koordinuar të sistemit shëndetësor.

“Në këtë drejtim Kosova, këtë vit e shënon Ditën Botërore të Shëndetit me iniciativa konkrete, dhe me rezultate të para, modeste, por të rëndësishme dhe të qëndrueshme drejt mbulimit shëndetësor të përgjithshëm. Kjo lëvizje përpara në sektorin e shëndetësisë është reflektuar edhe në Raportin e Progresit të publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian, ku thuhet se Kosova ka miratuar disa udhëzime administrative dhe një strategji komunikimi në mbështetje të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor”, theksoi ai.

Ministri Ismaili tha se ka ngritur nivelin e llogaridhënies në Ministrinë e Shëndetësisë dhe po punohet në përmirësimin e menaxhimit të ShSKUK-së dhe rregullimin e sektorit farmaceutik dhe kemi konkretizuar Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, duke bërë transparent hapat që duhen ndërmarrë më tutje. Në këtë shënim, kryemnistri Ramush Haradinaj, ka përgëzuar Ministrin Ismaili për fillimin e ndryshimit të gjendjes në shëndetësi.