Islamikët pranojnë disfatën në Tunizi

Një parti islamike, dikur dominuese në Tunizi, e ka pranuar disfatën në zgjedhjet e djeshme parlamentare karshi partisë kryesore opozitare sekulare në këtë vend.

Bota

27/10/2014 16:23

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të djeshme do të shpallen më 29 tetor, por partia islamike Ennahda sot e ka pranuar disfatën dhe i ka uruar fitoren rivalëve sekularë në bllokun Thirrja e Tunizisë, që e ka fituar shumicën e vendeve në parlament, transmeton  REL.

Anketat pas zgjedhore sugjeruan se Thirrja për Tunizinë ka fituar afro 80 vende në Parlament, që i ka 217 deputetë, derisa Ennahda do t’i ketë afro 70 vende.

Presidenti autoritar në Tunizi, Zine el-Abidine Ben Ali ka sunduar në Tunizi për 23 vjet, ndërsa është përmbysur në kryengritjen e vitit 2011, me ç’rast ishte krijuar vala e ashtuquajtur e “Pranverës Arabe”, me protesta kundër garniturave në pushtet në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme.