Islam Pacolli mohon se e ka sulmuar zyrtarin e sigurisë në Ministrinë e Drejtësisë

Deputeti i AKR-së, Islam Pacolli po e mohon se ka sulmuar zyrtarin e sigurisë te Ministria e Drejtësisë.

Lajme

12/06/2018 20:01

Përkundër se rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës, Pacolli ka thënë se lajmet e tilla po bëhen për ta denigruar atë.

Vetë Policia në një përgjigje për lajmi.net kishte thënë se deputeti ka sulmuar zyrtarin e sigurisë, dhe për këtë ai do të intervistohet edhe nga prokurori.

Ky është postimi i plotë në facebook:

Të nderuar qytetar të Republikës së Kosovës,
Me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, përmes këtij shkrimi shfrytëzoj rastin të demantoj shkrimin e disa portaleve informative të cilat kanë dezinfirmuar publikun duke konstatur se “ Deputeti Islam Pacolli është arrestuar për shkak të mospërfilljes së urdhërit nga një zyrtar shtetëror”.
Konstatimi i sipërcituar nga portalet përkatëse është i pavërtetë dhe si i tillë, ky është sulm drejtuar personalisht kundër meje me tendencë të dëmtimit të imazhit tim publik.
Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët e Republikës së Kosovës, mbetem i përkushtuar të vazhdoj të respektoj me përpikmëri Kushtetutën, Ligjet në fuqi si dhe Institucionet e shtetit tonë. Njëkohësisht u bëj thirrje personave përgjegjës të tërhiqen sa më shpejt nga dezinformimet e tilla të opinionit publik.

Sinqerisht:
Islam Pacolli
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës