ISIS shpall xhihadin seksual: Çdo familje të dorëzojë një vajzë të pamartuar te ne

Ka shokuar botën një tjetër zhvillim nga radikalët e shtetit islamik të ISIS. Ata kanë bërë thirrje për “Xhihad El-Nikahut”, ose thënë ndryshe “xhihad seksual”. 

Bota

08/07/2014 12:07

Duke cituar burime, gazeta britanik The Mirror raporton se rebelët kanë vendosur disa postera në rrugët e Mosulit e Tikritit, ku bëhet thirrje që banorët të dërgojnë pranë organizatës së ISIS vajzat e tyre të pamartuara, në mënyrë që ato të përmbushin detyrën e tyre për “xhihad seksual”.

Në njoftim thuhet se familjet që nuk pranojnë t’i dërgojnë, do të përballen me forcën e ligjit Sharia. Sipas një raporti të organizatës jofitimprurëse, Clarion, terroristët e ISIS kanë filluar të hyjnë në çdo shtëpi duke vrarë burrat e familjes dhe përdhunuar gratë e tyre. Po sipas këtij raporti, 4 viktima të moshës 19-23 vjeç kanë shkuar deri në vetëvrasje. 

Autori i këtyre zhvillimeve të paprecedenta, Abu Bakr el Bagdadi, ka mbi kokë një çmim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij, që prej tre vjetësh.

Ironikisht, njeriu i cili ka dalë tani si udhëheqës i kryengritësve islamikë, që kontrollojnë një territor të gjerë të Sirisë dhe Irakut, ka qenë mbajtur në burgim nga autoritetet amerikane gjatë luftës në Irak.

Ai u kap nga ushtria amerikane në vitin 2005, dhe u mbajt katër vjet në kampin e paraburgimit Buça në Irakun jugor.

Por me pakësimin e operacioneve ushtarake amerikane në Irak, ish-presidenti George W. Bush nënshkroi një marrëveshje që ia dorëzonte Irakut të gjithë të ndaluarit.

Autoritetet irakiane e liruan al-Bagdadin në vitin 2010. Siç ndodh në këto raste, mund të thuhet se ai “është gatuar” nga burgu i gjatë dhe pikërisht tani që rajoni është në kaos më shumë se kurrë, Perëndimi nuk di ç’të bëjë me gjendjen e krijuar.