Ishte një fushatë e ndyrë

Partia e Slobodan Petrovic, SLS, duket se do të humbë qeverisjen në shumë komuna serbe, në të cilat ka pasur pushtet deri tani. Lista Serbe, e përkrahur nga Qeveria e Serbisë, do t’i shënojë humbje të madhe SLS'së, e cila pret që të fitojë tri komuna.

Lajme

10/11/2013 18:54

Partia Liberale Serbe (SLS), duket se do ta humb monopolin në qeverisjen e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje e Listës Serbe, e cila gëzon përkrahje të madhe të Qeverisë së Serbisë, do t’i lë pa pushtet dhe pozita një pjesë të mirë të zyrtarëve të SLS’së në qytete të ndryshme të Kosovës.

Kryetari i SLS’së, Slobodan Petrovic, në një intervistë për lajmi.net, thotë se fushata zgjedhore ishte e ndyrë, duke pasur parasysh përkrahjen e zyrtarëve të Qeverisë së Serbisë për Listën Serbe.

“Kjo ka qenë fushata më e ndyrë”.

“Ka pasur shumë pengesa, presion dhe gjëra që nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe demokracinë. Kjo është vërejtur edhe në ditën e zgjedhjeve, kur ka pasur edhe të burgosur”.

Përkundër një konkurrence të pabarabartë, Petrovic thotë se partia e tij, megjithatë, është ndarë mirë në këto zgjedhje.

“Unë jam mjaft krenar me simpatizantët e SLS’së, të cilët kanë qenë në krye të detyrës dhe nuk ka pasur asnjë incident nga ana jonë”.

“Mirëpo, shumë i rëndësishëm për ne në këto zgjedhje është – rezultati. Dhe, ne kemi fituar atë çfarë kemi pritur. Kemi krijuar një rezultat mjaft të mirë”.

“Lista Serbe, e cila e ka pasur mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, ka fituar vetëm 13 mijë vota, përjashtuar veriun, ndërsa SLS në jug ka fituar mbi 8 mijë vota”.

“Mendoj se duke i pasur parasysh këto rrethana, ne kemi krijuar një rezultat të mirë. Në tri komuna kemi hyrë në raundin e dytë, ndërsa në secilën komunë në të cilën kemi konkurruar kemi arritur të kemi asambleistë”.

“Në komunën e Parteshit kemi 45 për qind, në Shtërpcë afër 40 për qind, në Kllokot kemi hyrë në raundin e dytë”.

Slobodan Petrovic pret fitore në tri komuna pas balotazhit.

“Për herë ta parë kemi marrë pjesë edhe në zgjedhjet në Veri. Në komunën e Leposavicit jemi të tretit dhe me këtë pritet që të kemi disa asambleistë në Kuvendin Komunal”.

Ai thotë mbështetja e gjithë aparatit shtetëror të Serbisë për Listën Serbe ka ndikuar në rezultatin e forcave tjera politike serbe që kanë garuar në këto zgjedhje.

“Lista Serbe ka fituar pasi që ka pasur të gjithë aparatin shtetëror të Serbisë në mbështetje të tyre. Ndërsa ne në këto zgjedhje kemi hyrë si parti politike me forca vetanake”.

“Unë nuk jam në politikë për interes të dikujt tjetër. Prioriteti im është që të punoj për përmirësimin e jetës së qytetarëve”.

“Gjatë qeverisjes kemi treguar se jemi një parti serioze dhe me potencial. Të tillë do të mbesim”.