Ish-zyrtarja akuzon EULEX-in për zhdukje provash dhe diskriminim të zyrtarëve shqiptarë

Një ish-zyrtare e EULEX’it flet për raste të rënda që janë neglizhuar nga Prokurorët e EULEX’it.

Lajme

12/01/2018 20:48

Për tetë vjet punë në EULEX ish-zyrtarja e këtij institucioni Fatime Buzolli thotë se kishte hasur e raportuar keqpërdorime të mëdha . Por raportimi i këtyre padrejtësive ajo thotë se i kushtoi me keqtrajtim dhe diskriminim nga prokurorja Nita Amin.

Këtë të fundit ajo e kishte akuzuar për një mori shkeljesh si zhdukje të provave e trajtim jo të duhur të rasteve siç janë rasti kundër të akuzuarit kryesor për orkestrim të trazirave të marsit të vitit 2008 Milan Ivanovic dhe rasti i vrasjes së policit Enver Zymberi.

“Në të gjitha rastet ku Nita Amin ishte e përfshirë të gjitha rastet kanë shkuar ters. As një rast nuk është kryer siç duhet.”, tha Buzolli për televizionin publik të Kosovës.

Buzolli ka akuzuar edhe asistenten e prokurores britanike Aleksandra Spiric e cila sipas saj kishte dorë në rrjedhjen e disa informacioneve të rëndësishme.