Ish-punëtorët e Rilindjes, përgatisin padi për AKP-në dhe Qeverinë

Vendimi për marrjen në pronësi të objektit i Rilindjes, i bërë 6 vjet më parë, nuk po i bindë ish-punëtorët e kësaj ndërmarrjeje për ligjshmërinë e këtij procesi. Ata tashmë kanë përgatitur një padi, që presin ta dorëzojnë në gjykatë gjatë fundit të këtij viti.

Lajme

08/08/2014 19:12

Ish-punëtorët e Gazetës “Rilindja”, janë të ndarë sa i përket mendimit të tyre lidhur me vendimin për procesin e shpronësimit të kësaj ndërmarrje nga Qeveria e Kosovës.

Propozimi për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje, i bërë nga disa ish-punëtorë, nuk ka gjetur mbështetjen edhe të Sindikatës që i përfaqëson ata, duke bërë që përpjekjet e tyre të ndahen në dysh.

Blerim Stavileci, ish-punëtor i Gazetës “Rilindja” tashmë e ka gati padinë për Qeverinë e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe Kompaninë “Mabetex”.

Stavileci, me profesion gazetar, ka punuar mbi 25 vjet në këtë ndërmarrje shoqërore, ku ka ushtruar edhe disa pozita menaxhuese, thotë se deri te ky veprim ka ardhur për shkak se, sipas tij, Qeveria me të padrejtë e ka marrë në shfrytëzim ndërtesën e ndërmarrjes ku ai ka punuar për aq shumë vite.

Ai për lajmi.net ka treguar arsyet mbi të cilën e ka mbështetur padinë e tij.

“Unë së bashku me disa kolegë të mi të Rilindjes, e kemi gati padinë kundër Qeverisë së Kosovës, AKP-së dhe kundër Kompanisë Mabetex”.

“Qeveria e ka marrë objektin tonë pa pajtimin e punëtorëve dhe pa hy në proces të privatizimit. AKP-në e padisim, pasi që ajo  është dashur të menaxhojë me Pallatin e Shtypit, pasi ne e kemi pasur statusin e ndërmarrjes shoqërore. Ajo ka dështuar në këtë drejtim dhe i ka lejuar Qeverisë që të marrë në shfrytëzim objektin”.

“Ndërkaq, padia kundër kompanisë Mabetex shkon për arsye se i ka hyrë punës së renovimit të Pallatit të Shtypit, pa qenë i qartë statusi i këtij objekti”.

Stavileci, së bashku me ish-kolegët e tyre në këtë ndërmarrje, kanë vendosur t’i vënë ultimatum Qeverisë dhe AKP-së për shpërndarjen e 20 përqindëshit, në të kundërtën, sipas tyre, padinë do ta ngrisin në vjeshtë të këtij viti.

Mirëpo, të njëjtin mendim nuk e ndanë edhe Zeqir Bekolli, nga Sindikata e ish-Punëtorëve të Gazetës Rilindja, që sipas tij, marrja në pronësi e objektit të “Rilindjes” nga Qeveria e Kosovës nuk është gjë e keqe.

Ai e quan gjë të mirë shpronësimin e objektit të Rilindjes nga Qeveria, duke e arsyetuar me faktin se janë kursyer para nga buxheti i Kosovës.

“Rasti i ‘Rilindjes’ është rast specifik. Qeveria ka pasur dhe ka nevojë për objekte qeveritare dhe ajo e ka parë të udhës që këtë ndërtesë ta marrë, gjë që nuk ka bërë keq, sepse me këtë hap ka bërë zgjidhje për katër ministri. Madje, me këtë hap ka ndikuar që institucionet shtetërore që deri atëherë ishin të vendosura nëpër objekte private të zhvendoseshin prej andej në objekte shtetërore. Me këtë veprim, Qeveria ka kursyer edhe mjete të mëdha materiale që jepeshin për qira”, ka thënë Bekolli.

Ndërtesa e Rilindjes që prej vitit 2008 është shndërruar në objekt qeveritar. Në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur më 27 shkurt të vitit 2008, u morr vendim, që ky objekt të shndërrohej në objekt qeveritar, për akomodimin rezidencial.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të marrë në shfrytëzim objektin e Rilindjes, ka për qëllim zvogëlimin e shpenzimeve, akomodimin adekuat dhe funksional, rritjen e sigurisë për pasurinë dhe personat, rritjen e efikasitetit në punë, ofrimin e shërbimeve të shpejta për qytetarë dhe krijimin e imazhit shtetëror-reprezentativ”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Por, ndërtesa u bë funksionale vetëm në nëntor të vitit 2009, pasi që kompania “Mabetex” përfundoi renovimin, e cila i kushtoi buxhetit të Kosovës, hiç më pak se 15 milionë euro.

Ndonëse AKP është organi i cili ka nën menaxhim të gjitha ndërmarrjet shoqërore dhe udhëheq procesin e privatizimit, Qeveria e Kosovës ka të drejtë, që me një vendim të marrë pronat shoqërore në shfrytëzim, duke u thirrur në Ligjin e Shpronësimit, i cili parasheh se Qeveria mund të bëhet pronare e një objekti, nëse ajo konsiderohet si objekt me interes publik.

Këtë gjë e konfirmon edhe zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, i cili për lajmi.net tha se për momentin Qeveria është në procesin e vlerësimit të objektit, dhe pasi të caktohet vlera e saj, ato para do të barten në xhirollogarinë e ndërmarrjes e cila menaxhohet nga AKP.

Kaloshi thotë se punëtorët e Rilindjes do të mund të gëzojnë të drejtën e tyre për të përfituar 20 për qindëshin që u takon me ligj.

“Objekti i Rilindjes shfrytëzohet nga Qeveria e Kosovës për nevojat qeveritare dhe Qeveria ka filluar dhe është në proces të vlerësimit të këtij objekti, që më pas, mjetet për të, të barten në xhirollogarinë e ndërmarrjes shoqërore që menaxhohet nga AKP”.

“Siç dihet, prej privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të këtyre ndërmarrjeve është rregull që 20 për qind të shumës së përgjithshme t’u ndahen punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër është e dedikuar për kreditorët apo për shlyerjen e borxheve të ndërmarrjeve shoqërore”.

“Punëtorët e çdo ndërmarrjeje shoqërore, ligjërisht është e rregulluar që kanë të drejtë të përfitojnë prej çmimit të shitjes”, ka thënë Kaloshi.

Se 20 për qindëshin do tu jepet ish-punëtorëve të Rilindjes e konfirmon edhe përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve të kësaj ndërmarrjeje, Zeqir Bekolli.

Ai ka thënë se sindikata e tyre është duke përgatitur listën me emrat të punëtorëve për t’ia dërguar më pas AKP-së.

“Ndërtesa e Rilindjes tashmë është pronë e Qeverisë. Mirëpo, e drejta e punëtorëve që kanë punuar dhe kontribuar në ndërtimin e objektit pritet të realizohet. Për këtë qëllim ne kemi biseduar me AKP-në, kurse në këtë fazë jemi në përgatitje të listës së punëtorëve të gazetës. Ne jemi vonuar pak në këtë drejtim, sepse një kohë na ka marrë grumbullimi i dëshmive të punëtorëve. Është edhe kohë e pushimeve dhe ky element e ka bërë të vetën. Megjithatë, e drejta e punëtorëve për 20 për qindëshin do të realizohet, sepse këtë gatishmëri e ka edhe Qeveria. Në momentin kur ne jemi gati dhe dakordohemi me AKP-në 20 për qindëshi do të realizohet”, ka thënë Bekolli.

Qeveria e Kosovës tashmë është në proces të vlerësimit të ndërtesës Rilindja. Procedura pasuese e këtij procesi është edhe shpronësimi.

Qeveria e Kosovës në bazë Ligjit për Shpronësime ka të drejtë të bëjë shpronësimin e pronave që janë me interes publik.

Në nenin tre të këtij paragrafi specifikohet se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për të bërë shpronësimin e këtyre pronave.

“3.  Qeveria është e autorizuar ta bëjë shpronësimin e pronën për çfarëdo qëllimi tjetër të ligjshëm publik i cili nuk është përcaktuar në pikat e nën-paragrafit 2.4.1 deri më 2.4.4 të këtij neni, nëse i plotëson kushtet e përcaktuara në paragrafin 1. të këtij neni. Për këto Shpronësime, Organi përgjegjës Shpronësues është Qeveria”, thuhet në Ligjin për Shpronësime.

Ndërkaq, paragrafi tre, pika tre, e specifikon një gjë të tillë : “3.3.6.  objekteve publike të nevojshme për qëllime të arsimit, shëndetësisë dhe/ose shërbimeve të mirëqenies sociale nga një Autoritet Qendror Publik”.

Punëtorët e ish-ndërmarrjes “Rilindja” po presin që Qeveria e Kosovës pasi të ketë bërë vlerësimin e objektit të kësaj ndërmarrjeje, të arkëtojë në xhirollogarinë e tyre shumën, prej të cilës AKP-ja më pas do tu shpërndajë 20 për qindëshin që u takon. Ndërkaq, ish-punëtorët e pakënaqur me këtë formë të marrjes në pronësi të kësaj ndërtese , si duket, do ta dërgojnë këtë çështje në gjykatat kompetente.