Ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave, bllokojnë Kuvendin Komunal në Ferizaj (Foto)

Po bëhen dy javë që ish punëtorët e Fabrikës së Tubave të Çeliktë në Ferizaj, po qëndrojnë në sallën e Kuvendit Komunal të Ferizajt.

Lajme

26/05/2016 15:51

Dikush po luan shah, dikush po pushon, ndonjëri prej ish punëtorëve bën një sy gjumë, pasi  të janë të lodhur nga pritja. Ata  vazhdojnë të  këmbëngulin në  realizimin e kërkesave të tyre, raporton lajmi.net

Kërkesat e tyre janë të thjeshta dhe bazohen  në vendime gjykatash. Ndër të tjera, ata  kërkojnë kompensimin prej 20 përqind nga privatizimi i ish fabrikës së tyre.

Ish punëtorëve, të drejtë u kanë dhënë të gjitha gjykatat, përfshirë edhe ajo Kushtetuese, por në realitet vendimet  nuk po zbatohen.

Pas gati tre vjetësh të grevës nën tendën në qendër të Prishtinës, tash ata protestën e tyre e kanë zhvendosur në ambientet e brendshme të sallës së Kuvendit Komunal në Ferizaj.

Meqë kërkesa e tyre nuk po zbatohet, tash ata  po presin që t’i takojnë krerët e shtetit. Po kërkojnë që të takohen me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, raporton lajmi.net.

13307364_1177254645642690_6755736358014250895_n

Ata nuk po e pengojnë mbarëvajtjen e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Ferizajt, por edhe gjatë mbledhjeve, po qëndrojnë brenda sallës ku janë edhe asamblesistët.

Gjatë mbledhjeve të Kuvendit të Komunës, ata qëndrojnë në një qoshe të sallës.

Sipas udhëheqësit të sindikatës së këtyre punëtorëve, ata do të qëndrojnë Brenda sallës së Kuvendit Komunal, derisa të plotësohen 4 kërkesat të cilat tani ata  i kanë vënë në hyrje të sallës.

Ata  tani kanë  katër kërkesa  të cilat i kanë shkruar me dorë dhe i kanë vendosur në hyrje të sallës së Kuvendit,  për të cilat thonë se deri në realizimin e tyre do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit.

Kërkesat e tyre janë;

1-Takime urgjente me  kryetarin e Kuvendit të Kosovës,Kadri Veselin dhe Kryeministrin Isa Mustafa.

2-Bordi i AKP-së, më së largu deri më 10 qershor të marr vendim për  lejimin e mjeteve për të bërë  pagesën e borxhit në tërësi.

3-Solidarizimin e deputetëve të nivelit qendror nga zona e Ferizajt.

4-Kërkesë  nga kryetari i Komunës, Muharrem Svarqa, që tu ofrojë kushtet e  domosdoshme për qëndrim deri në realizimin e  kërkesave të para, e sidomos me asistencë mjekësore.

Ish punëtorët ende po qëndrojnë në sallën e Kuvendit dhe po presin që  dikush nga ata  cilët  i kanë  kërkuar të takohet me ta. Por deri më tash, askush nuk e ka bërë këtë./lajmi.net