Ish ministri Nikaj: Këto janë produktet që mbrohen nga liberalizimi i tregut i MSA-së (Video)

Nga MSA përfitojnë edhe qytetarët e Kosovës e edhe bizneset. Përderisa të parët do të përfitojnë produkte dhe shërbime më të mira, bizneset përfitojnë qasje në tregun e BE-së, e cila varet nga vet përkushtimi i tyre.

Lajme

03/11/2015 19:01

Kështu vlerëson ish- ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj në një intervistë për lajmi.net.

Ai thotë se është një listë e madhe e produkteve që do liberalizohen menjëherë, por tregon se cilat kategori i kanë mbrojtur kur është bërë kërkesa për MSA-në.

Nikaj është i bindur se MSA-ja për eksportuesit kosovar është marrëveshje që sjellë fitime të dyfishta, dhe thotë se ajo shton konkurrencën për vendet e rajonit në Kosovë.

Ai tregon për lajmi.net se janë diku 10 mijë e 800 produkte që janë negociuar dhe në marrëveshje shpjegohet se cilat janë ato që do të mbrohen, e produktet që nuk janë në anekse do liberalizohen menjëherë.

Nikaj thotë se MSA-ja e njeh Kosovën si shtet.

“Kosova do të fitojë qasje të pakufizuar për të gjitha produktet e veta në tregun e BE-së në momentin kur MSA të hynë në fuqi, ndërsa produktet e BE-së në Kosovë do të liberalizohen sipas një scedulit të negociuar, e këtu kemi dy kategori, në industriale dhe bujqësore. Tek industriale kemi dy scedule të liberalizimit, 5 vjeçar dhe 7 vjeçar. Ndërsa tek ato bujqësore i kemi tri faza, në 3 vjet, 5 dhe në 7 vjet dhe një seri e produkteve që Kosovë i ka konsideruar me rëndësi të madhe për ekonominë e vet, nuk do të liberalizohen edhe pas periudhës 10 vjeçare sa do të zgjatë implementimi i MSA-së”, thotë ai.

Bernard Nikaj

Sipas tij, janë katër kategori që janë mbrojtur nga liberalizimi.

“Kemi shikuar nëse një produkt prodhohet në Kosovë, pastaj kemi shikuar nëse një industri mund të ketë potencial për rritje në të ardhmen, nëse një produkt merr subvencione nga Qeveria e Kosovës dhe konsiderohet sektor me rëndësi si dhe të katërtën e kemi shikuar  është ndikimi buxhetor që mund të ketë liberalizimi i atyre produkteve. Pra, të gjitha produktet që nuk janë në këto kategori do të liberalizohen menjëherë, që besoj se do të jetë përfitim i dyfishtë edhe për konsumatorët sepse do të mund t’i blejnë këto produkte më lirë”, thotë Nikaj.

“MSA-ja për eksportuesit është marrëveshje që sjellë fitim të dyfishtë. Së pari u sigurohet tregu për 10 vitet e ardhshme, ndërsa në anën tjetër ata mbrohen nga ndikimi i liberalizimit nga produktet e BE-së për një periudhë kohore që ua mundëson atyre që të bëhen konkurrues. Ky nuk është proces i menjëhershëm, është i vazhdueshëm, kanë kohë të gjithë të punojnë për ngritjes së konkurrueshmërisë”, tha ai për lajmi.net.

Nikaj shpjegon se MSA e shton konkurrencën për prodhuesit e vendeve të rajonit në Kosovë.

Ndërsa sektori i agro-ushqimeve dhe produkte të ushqimeve të përpunuar po vazhdojnë të shënojnë ngritje, pra eksportet e bujqësisë.

“Këta sektorë jemi kujdesur që të mbrohen nga liberalizimi në MSA. Pra prodhuesit vendor të tyre, ose po e përmend njërin, atë të verërave, për 10 vitet e ardhshme do të mbrohen nga importi i verërave nga jashtë”, thotë ai.

Kur flet për Autoritetin Rregullativ të Konkurrencës, i cili është një nga institucionet kryesore që duhet të sigurojë konkurrencë të drejtë të të gjithë operatorëve, por momentalisht nuk është plotësisht funksional, Nikaj thotë se MSA do ndikojë edhe këtu, që të funksionalziohen si duhet disa nga institucionet.

Shpreh optimizëm se Kosova mund ta implementojë këtë marrëveshje dhe rikujton se tani edhe BE-ja ka obligime në raport me Kosovën.

Nikaj tregon se në momentin e hyrjes në fuqi të MSA-së, veturat e reja do të lirohen nga Dogana. Ata do kushtojnë më lirë.

E sa u përket veturave të vjetra, do të liberalizohen për një periudhë më të gjatë deri në shtatë vjeçare, kjo me qëllim që Kosova mos të shndërrohet në vend i hekurishteve.

Kur flet për draftet e kësaj marrëveshje, thotë se është e njëjta me atë të vitit 2014.

Është i bindur se MSA e njeh si shtet.

“Jam i bindur se MSA e sheh Kosovën si shtet, duke pasur parasysh edhe specifikat e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën”, tha Nikaj. /lajmi.net

YouTube player