Ish-ministri grek i Financave shkruan tekstin e këngës polifonike shqiptare

Një prej kuratorëve të pavionit shqiptar, arkitekti amerikan Simon Battisti ka deklaruar se teksti i Varoufakis është shumë personal.

ShowBiz

26/05/2016 13:28

Në vend paraqitjes së artit vizual, Shqipëria do të prezantohet me këngë të isopolifonisë, nga katër grupe, me tekste të shkruar nga personalitete shqiptare dhe ndërkombëtare. Organizatorët disa muaj më parë ju kërkuan 10 personaliteteve, midis të cilëve poetë, shkrimtarë, arkitektë dhe artistë, të cilët kanë patur eksperienca në migracion, të shkruajnë tekste për migrimin, që do të jetë edhe boshti i pavijonit shqiptar në gjashtë muajt e Bienales.

Tekstet e tyre janë përkthyer në shqip dhe do të këndohen nga grupe të ndryshme të flokut nga Tirana, Himara, Fieri dhe Vlora.

Një prej personaliteteve, të cilët kanë shkruar tekste për t’i shndërruar në këngë të isopolifonisë, është edhe i mirënjohuri Janis Varufakis, ish-ministri grek i Financave. Ai njihet për përballjet e forta me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian, duke kundërshtuar masat e forta shtrënguese ndaj Greqisë. Një nga kuratorët e pavijonit shqiptar, arkitekti amerikan, Simon Batisti, i tha BIRN-it, se teksti i Varufakis ishte shumë personal.

“Në tekst ai tregon historinë e tij të qëndrimit larg shtëpisë dhe i ndarë nga vajza, duke jetuar larg saj”, tha Batisti.

Këngët gjatë bienales do të transmetohen nëpërmjet një regjistruesi, njëkohësisht në 8 kanale, për t’u dhënë dëgjuesve plotësisht shijen e isopolifonisë tradicionale shqiptare, të përfshirë edhe në listën e UNESCO-s si pjesë e mbrojtur e trashëgimisë.