Ish-mërgimtari hap 250 vende pune për të ndalur migrimin

Shumë kosovarë kanë marrë rrugën ilegale të migrimit për të arritur në një vend të BE-së, me shpresë që të gjejnë një vend pune.

Lajme

11/02/2015 20:36

Kjo për shumë kosovarë është arsye pse ata vendosin ta lëshojnë Kosovën. Por një kompani që udhëhiqet nga një ish-emigrant, u ofron vende pune këtu në Kosovë. Pronari ka hapur konkurs për 250 vende pune.

Derisa ikja e qytetarëve, kryesisht të papunë, për në vendet e BE-së vazhdon, është një kompani që ka hapur shumë vende të punës në Kosovë.

Kompani tele-komunikuese dhe e ueb dizajnimit “Maxtel” në Prishtinë pret të punësojë 250 persona, raporoton RTK.

Fisnik Maxhuni ishte dikur vet emigrant në Gjermani. “Në vitin 2004 kam vendosur përfundimisht me u kthy në Kosovë me startu një biznis, kam qenë fillimisht agjent i thjesht tregtar …”

Edhe Valdet Kabashi, pas 22 vjetësh qëndrimit në Austri, vendosi të kthehet në Kosovë.

“Kam gjet vendin e punës këtu, jetoj e punoj normal si të tjerët, ai që do me punu mund të gjejë vend edhe në Kosovë, ka mjaft vende pune”.

Arbër Krasniqi, punëtor në Maxtel, thotë se “ka shumë hapësirë për punë në Kosovë, gjithçka që duhet me bo është me kërku pak më shumë, me pas vullnet dhe besim në vete, mundet gjithçka me bo…”

Përparësi punësimi në këtë kompani, që ka disa filiale në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Pejë, sipas pronarit, kanë ata që kanë njohuri të gjuhës gjermane dhe në teknologji informative.