Ish lideri komunist: Në një parti ku gjatë zgjedhjeve nuk ka më shumë se një kandidat, aty nuk ka demokraci

Tanimë ka përfunduar afati për dorëzimin e kandidatëve për zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje.

Lajme

13/01/2018 10:07

Në këto zgjedhje kandidat i vetëm do të jetë Albin Kurti, i cili ka udhëhequr me VV-në edhe për dy mandate të kaluara, shkruan Indeksonline.

Por të pasurit vetëm një kandidat, sipas analistëve politik nuk tregon demokraci.

Azem Vllasi, në një prononcim për Indeksonline ka thënë se edhe Vetëvendosje po e vërteton “rregullin” se themeluesi i partisë duhet të jetë gjithmonë në krye të atij subjekti.

“Në një parti ku  gjatë zgjedhjeve nuk ka më shumë se një kandidat, aty nuk ka aspak demokraci. Kur e pat lshu vendin Kurti e erdhi në krye Visar Ymeri dukej se  Kurti është i prirur për të pru një demokraci në Vetëvendosje, por  me faktin se po don me u kthy në të njëjtin vend, po e vërteton atë në Kosovë është bërë si rregull, që secili themelues i një partie  duhet të jetë gjithmonë në krye të saj”, tha Vllasi.

Sipas tij, VV po ndahet në dysh dhe Kurti do të jetë kryetar vetëm i gjysmës së tyre.

“Vetëvendosja është duke kaluar nëpër disa procese problematike të brendshme ashtu që s’di sa është mirë që në këtë moment të ketë zgjedhje me vetëm një kandidat. Kjo tregon se Vetëvendosje më nuk është ashiqare  ajo që ka qenë deri më tash. Ajo po ndahet në dysh dhe Albin Kurti do të zgjidhet kryetar i gjysmës së saj. Vetëvendosje nuk ka vdekur por definitivisht po ndodhin disa procese të brendshme të cilat mo nuk lënë asnjë shancë që të kthehet ajo që ka qenë deri tash”, shtoi Vllasi.