Ish-kryetari i OShP-së dëshmon në gjykimin për tenderin për ushqimin e FSK-së

Në gjykimin ndaj anëtareve të OShP-së Tefik Sylejmani e Ekrem Salihu, të akuzuar se e keqpërdorën detyrën zyrtare në lidhje me një tender rreth furnizimit me ushqim të FSK-së dhe MFSK-së, me çka po pretendohet se u kanë shkaktuar dëm të madh këtyre dy institucioneve, në cilësi të dëshmitarit u dëgjua ish-kryetarit i OShP-së, Hysni Hoxha.

Lajme

13/09/2018 23:32

Hoxha dëshminë e tij e dha rreth procedurës së përzgjedhjes së operatorit ekonomik për tenderin për furnizimin, përgatitjen dhe sigurimin e ushqimit në kuzhinat e FSK-së dhe MFSK-së.

Në lidhje me këtë tender dëshmitari deklaroi se gjatë muajit nëntor-dhjetor të vitit 2015 kishte pranuar një ankesë nga operatori ekonomik “Korabi Sh.p.k”.

Ai deklaroi se pas pranimit të kësaj ankese, pasi që ankesa i ka plotësuar kushtet për shqyrtim të njëjtën e ka pranuar një ekspert shqyrtues i cili e ka shqyrtuar dhe në afat ligjor ka dhënë mendimin se ankesa është e pabazuar pasi që i mungon interesi material.

“Mendimi i tij i cili në fund i ka propozuar panelit shqyrtues që ankesën e këtij konzorciumi ekonomik “Florenti&Korabi” ta hedh poshtë si të pabazuar konform LPP-së sepse konzorciumit të tillë i ka munguar interesi material gjegjësisht i njëjti ka qenë i papërgjegjshëm”, deklaroi dëshmitari.

Më pas dëshmitari tha se paneli shqyrtues e ka mbajtur një seancë dëgjimore pas së cilës me shumicë votash ka vendosur që të anulohet vendimi i autoritetit kontraktues të MFSK-së.

“Paneli shqyrtues ka caktuar një seancë dëgjimore ku i ka thirrur të gjitha palët në procedurë dhe ka nxjerrë një vendim me shumicë të votave ku pranon pjesërisht ankesën e konzorciumit në fjalë “Florenti&Korabi” si të bazuar dhe njëherësh e anulon vendimin e autoritetit kontraktues të Ministrisë së Forcës së Sigurisë”, tha dëshmitari.

Tutje i akuzuari Ekrem Salihu e pyeti dëshmitarin nëse është e mundur që të shkaktohet dëm me rastin e anulimit të një aktiviteti të tenderimit.

“A mund të shkaktohet dëm material kur paneli shqyrtues bën anulim të një aktiviteti të prokurimit”, e pyeti i akuzuari dëshmitarin.

“Unë mendoj se nuk duhet të ketë dëm material me rastin e anulimit të një aktivitetit të prokurimit dhe mendoj se mund të përsëritet ai aktivitet nga autoriteti kontraktues por si do që të jetë për më shumë unë nuk kam kompetenca”, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se organi shqyrtues e kishte marrë vendimin me dy vota pro dhe një kundër.

“Dy anëtarë të panelit kanë ndarë mendimin përballë kryetarit të panelit të organit shqyrtues prandaj thash se është vendosur me shumicë të votave”, shtoi dëshmitari.

Hoxha tregoi edhe rastet për të cilat tha se mund të anulohet një aktivitet i prokurimit.

“Dispozitat e LPK-së tregon qartë se kur mund të anulohet një aktivitet i prokurimit mirëpo në rastin konkret OShP-ja ndonëse atëherë kur sheh se nuk ka operator të mjaftueshëm të përgjegjshëm kur kërkon vetë operatori ekonomik ankuesi një vendim të tillë, kur konstatohet se diçka në dosjen e tenderit është gjetur se nuk është në përputhje me legjislacionin e KRPP-së ose me dispozitat e LPK-së”, tha dëshmitari.

Seanca e radhës do të mbahet më 21 shtator me ç’rast pritet që të bëhet administrimi i provave dhe të akuzuarit do ta japin mbrojtjen.

Në bazë të pretendimeve të Prokurorisë, Tefik Sylejmani e Ekrem Salhu në cilësinë e anëtarëve të OShP-së nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2016 e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre, pasi që kanë vepruar në dëm të autoritetit kontraktues MFSK, raporton kallxo.com

Sipas aktit akuzues, MFSK e ka shpallur tenderin për “Furnizim, Përgatitje dhe Sigurim të Ushqimit në Kuzhinat e FSK-së dhe MFSK-së, Loti 1”. Autoriteti kontraktues i MFSK-së ka pranuar operatorët ekonomikë, përkatësisht tenderuesit N.H “Amazona”, “Oda Grup” SH.A, “Global Parajsa”, “Ciano Tranding Servis”, SH.P.K “Beni Dona” Plus dhe NTP. “Florenti&Korabi”.