Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt del sërish para gjyqit

Gjykata e Apelit, me anë të një urdhërese, ka caktuar fillimin e shtatorit si muajin kur do të mbahet seanca e kolegjit penal ndaj tij.

Lajme

06/08/2014 18:01

Në një komunikatë për media nga Gjykata e Apelit, thuhet se seanca do të mbahet me 12 shtator.

Në atë seancë do të shqyrtohen ankesat e Prokurorisë së Shtetit, të akuzuarit dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar, të paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“B. Xhemajli akuzohet për veprën penale rrezikim i trafikut publik nga neni 297 paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 dhe 3 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet mes tjerash në komunikatën për medie të gjykatë.

Në nëntor të vitit 2010, ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vjet e gjysmë burg nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për aksidentin në të cilin vdiq një i ri.

Xhemajli akuzohej se ka shkaktuar një aksident të rëndë komunikacioni mëngjesin e 21 majit të 2009-ës, në hyrje të Prishtinës.

Në këtë aksident pati humbur jetën 21 vjeçari Labinot Rrustemi, nga fshati Banullë e Lipjanit.