Ish-kryetari i Dragashit nuk e pranon fajësinë për keqpërdorim të pozitës zyrtare

Ish-kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, të martën, gjatë fillimit të rigjykimit të tij, sërish ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor për akuzën që i vihet në barrë.

Lajme

13/03/2018 22:54

Po ashtu nuk e ka pranuar fajësinë as i akuzuari për uzurpim të pronës komunale, Nexhat Selaj.

Pas deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar që shqyrtimi gjyqësor të ndërpritet në mënyrë që ai të bëjë ndarjen e provave nga shkresat e lëndës që kanë të bëjnë vetëm me këta dy të akuzuarit

Nixha ka thënë se pasi që Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin ndaj Bean Haxhihasanit dhe Vetim Hasanit, të cilët janë liruar nga akuza, ka nevojë për kohë që të largojë provat që kanë të bëjnë me ata dhe të njëjtët ka propozuar që të ftohen si dëshmitarë pasi që për ta aktgjykimi është bërë i plotfuqishëm.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 25 prill 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Salim Jenizin, duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.

Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.

Gjykata Themelore e Prizrenit, më 21 nëntor 2017, ka shpallur fajtor të akuzuarit Jenuzi dhe Selaj por një aktgjykim të tillë e ka prishur Gjykata e Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar ish kryetarin Jenuzi me një vjet burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve ai nuk kryen vepër të re penale. Ndërsa, Nexhat Selaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht që brenda dy viteve të mos kryeje vepër tjetër penale.

Mirëpo, me 25 janar 2018, Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim sa i përket të pandehurve Salim Jenuzi dhe Nexhat Selaj, ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të cilët ishin liruar nga akuzat, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin në fjalë.

Në Aktgjykimin e Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë vendimet për dënimin e të akuzuarve Jenuzi dhe Selaj, duke mos treguar saktësisht veprimet e secilit me qëllim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen.

Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prizrenit, gjatë ri shqyrtimit të kësaj çështje penale të arsyetojë ndërlidhjen e provave që përmban aktakuza dhe të tregojë nëse kryetari ka pasur apo jo të drejtë të nënshkruajë lejen në vend të drejtorit komunal që ka munguar.

Po ashu Apeli ka kërkuar precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale pasi që kanë konstatuar se ish kryetari Jenuzi ka nënshkruar një dokument dhe nuk mund të qëndrojë koha e kryerjes së veprës penale nga 31 gushti 2011 e deri më 2016. /Betimiperdrejtesi