Ish-kryeparlamentari maqedon: Xhaferi është zgjedhur në mënyrë të ligjshme

Ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Stojan Andov, ka deklaruar të premten se nuk guxon të lejohet që situata të përshkallëzohet më tej dhe të gjitha palët duhet të përmbahen nga tensionet.

Lajme

28/04/2017 15:35

Në një intervistë për Alsat, ai thotë se mënyra se si Talat Xhaferi u zgjodh Kryetar i Kuvendit është e ligjshme dhe në përputhje me procedurat, derisa incidentin e djeshëm e quajti një turp të madh për Maqedoninë.

“Ajo çfarë ndodhi dje, është jashtë çdo praktike parlamentare. Ndërhyrje të tillë si kjo, nuk mbaj mend se ka ndodhur diku, sipas njohurive të mia, ndërsa gjatë kohë jam aktiv dhe prezent. Kjo e diskrediton Maqedoninë dhe Maqedonia është turpëruar me atë, e poshtëruar. Por unë mendoj se çdo gjë do të shkojë drejt stabilizimit të situatës. Unë shfrytëzoj momentin publikisht t’i uroj Talat Xhaferit zgjedhjen e kryetarit të parlamentit, me çfarë është duke hapur rruga tani për zgjedhjen e një qeverie të reformës”, tha Andov.

Ai ka përkujtuar se kryetarin e Kuvendit e përzgjedh vetëm shumica në Parlament.

“Kryetarin e Parlamentit e zgjedh shumica e deputetëve, askush tjetër nuk mund ta zgjidh dhe askush tjetër nuk ka të drejtë për ta parandaluar atë, dhe për aq sa unë di, shumicën e votave i mori z. Xhaferi dhe tani është kryetar i kuvendit. Përgjegjësia e tij është tani të ngrejë të gjitha mekanizmat që sa më shpejt të jetë e mundur të formohet qeveria”, tha Andov.