Ish-komisionerët mohojnë të kenë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010

Ish-komisionerët Fatlum Berisha dhe Besim Shala, kanë mohuar se kanë bërë falsifikim të rezultateve të zgjedhjeve të vitit 2010, për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Lajme

20/06/2018 17:44

Bashkë me Berishën e Shalën, për veprën penale të mashtrimit në votime, akuzohen edhe Skender Hajdinin, Bali Hotin, Jeton Lahin, Advije Ibrahimin dhe Arjeta Zhushin.

Në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Berisha e Shala, kanë thënë se në shkollën “Bajram Curri” në Sllatinë të Madhe, ku ata kanë qenë të angazhuar, nuk ka pasur asnjë parregullsi gjatë procesit zgjedhor dhe se nuk kanë bërë asgjë përpos kryerjes së detyrave të tyre.

I akuzuari Berisha tha se  në atë ditë kishte qenë komisioner dhe së bashku me anëtarët e tjerë dhe me vëzhguesit e kishin përcjellë gjatë gjithë kohës procesin gjyqësor.

“Gjatë gjithë ditës nuk ka pasur asnjë vërejtje që ne si komisionerë e kemi parë e as nga ana e vëzhguesve nuk ka pasur ndonjë gjë, gjithçka ka qenë në rregull” tha Berisha.

Sipas tij, mbyllja e vendvotimit ishte bërë në orën 19:00 dhe më pas kishin filluar procedurat e përgatitjes së numërimit të votave, raporton betimiperdrejtesi.com.

Berisha tha se kishte marrë pjesë në këtë procedurë ku prezent kishin qenë edhe kryesuesi Skender Hajdini dhe anëtarët Bali Hoti, Advije Ibrahimi, Jeton Lahu, Besim Shala dhe Arjeta Zhushi.

Berisha tha se në këtë vendvotim kishin qenë prezent edhe vëzhguesit nga organizata “Demokracia në Veprim”, që monitoron procesin zgjedhor.

Ai deklaroi se kishte bërë leximin e fletëvotimeve, kurse dikush tjetër i kishte shënuar në formularë.

Berisha tha se nuk e kishte bërë plotësimin e formularit asnjëherë pasi që kishte pasur të tjerë komsionerë të cilët ishin angazhuar dhe se ai ishte lodhur, e shpesh kishte bërë pushim përderisa dikush tjetër, sipas tij, e kishte zëvendësuar.

“Kutia është mbyll në prezencën e komisionarëve dhe të vëzhguesve, rezultatet janë shënuar në një fletë e të cilën kryesuesi i komisionit Skender Hajdini e ka vendosur në derën e klasës në pjesën e jashtme të saj që të shihet nga ana e të tjerëve, plotësimin e fletëvotimit e ka bërë me sa më kujtohet Jeton Lahu”, shtoi në fund Berisha.

Ndërsa, i akuzuari tjetër Besim Shala, tha se për ditën për të cilën ai akuzohet sa ka kryer veprën penale “mashtrim me votime” kishte punuar si komsioner i partisë politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shala tha se kishte qëndruar në vendvotimin në shkollën “Bajram Curri” në fshatin Sllatinë e Madhe të Fushë Kosovës, nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 24:00, mirëpo që kishte pasur probleme shëndetësore gjatë ditës pasi që ishte lodhur.

Ai tha se kishte punuar së bashku me anëtarët e komisionit Bali Hoti, Fatlum Berisha, Jeton Lahun, Skender Hajdnin, Advije Ibrahimin dhe Arjeta Zhushin.

“Unë e di se procesi ka shku në mënyrë te rregullt. Unë kam qenë i trajnuar dy ditë para zgjedhjeve dhe kam qenë i interesuar vetëm për përgjegjësin time me i kontrollu te dera me ultra vjollcë votuesit që kanë ardhur”, tha Shala.

Në këtë seancë prezent ishte edhe përfaqësuesi i Këshillit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Poqani dhe prokurorja Ferdane Sylejmani.

Sipas gjykatëses Shadie Gerguri seanca e radhës ku do të dëgjohen të akuzuarat Advije Ibrahimi dhe Arjeta Zhushi do të mbahet më 21 qershor 2018, në orën 09:00.

Ndryshe, në seancën e kaluar kishin përfunduar deklarimin e tyre dy të akuzuarit Skender Hajdini dhe Bali Hoti.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ngarkon Skender Hajdinin, Bali Hotin, Fatlum Berishën, Jeton Lahin, Besim Shalën, Avdije Ibrahimin dhe Arjeta Zhushin për kryerjen e veprës penale të mashtrimit në votime.

Sipas aktakuzës, të pandehurit më 12 tetor 2010, në qendrën e votimit 0903/03R, e cila gjendet në shkollën “Bajram Curri” në fshatin Sllatinë e Madhe të Komunës së Fushë Kosovës, në bazë të marrëveshjes paraprake për ndryshim të rezultateve të zgjedhjeve, kanë falsifikuar rezultatet e zgjedhjeve për Kuvend të Republikës së Kosovës.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit nga kandidatët brenda të njëjtit subjekt politik kanë marrë 748 vota dhe të njëjtat ia kanë numëruar kandidatëve të preferuar të tyre.