Ish-komandanti i UÇK-së nga Dubrava: Hilmi, gjithmonë qëndrove i fortë, edhe kur u vra Luani e Shkelzeni

Ish-Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, nga Burgu i Dubravës, ka shprehur ngushëllimet e tija për vdekjen e Hilmi Haradinajt, babit të kryeministrit, Ramush Haradinajt.

Lajme

17/06/2018 18:41

Selimi përmes një letre për Indeksonline ka thënë se Hilmi Haradinaj gjithmonë ka qëndruar si burrë i fortë që ishte.

“Kur u vra Luani, erdhëm të takuam. Ishe i fortë dhe ashtu mbete. Të ngushëlluam dhe na ngushëllove. Ashtu mbete i fortë edhe gjatë luftës, edhe kur u vra Shkëlzeni, edhe kur u vra Enveri, edhe kur t’i burgosën djemtë, edhe kur të la Shqipdoni.Gjithmonë qëndrove si burrë i fortë që ishte”, ka thënë Selimi për Hilmi Haradinajn.

Gjithashtu ai ka thënë se tash e tutje të gjithë duhet të bëhemi të fortë.

“Tash edhe ne duhet të bëhemi të fortë kur na le ti Baca Hilmi. Do të doja të vija sërish sikur më parë dhe të na prisje në kullë. Por do të vijmë prapë, ndonëse me kurora lulesh për të të thënë lamtumirë o burr i madh i kombit”, ka shtuar Selimi.

“Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëluftëtarëve. I përjetshëm kujtimi për Bacën Hilmi Haradinaj. Dubravë, 17 qershor 2018. Sylejman Selimi”, ka përfunduar Selimi në shkrimin e tij.