Ish Kancelari austriak: Deklaratat e Strache për Kosovën janë si t’i hedhësh benzinë zjarrit

Deklaratat e zëvendës/kancelarit të Austrisë, Christian Strache, i cili ditë më parë tha se rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara e sheh Kosovën si pjesë të Serbisë, dhe pavarësisht faktit që Austria ka njohur Pavarësinë e Kosovës, ai nuk kishte qenë pjesë përbërëse e Qeverisë së atëhershme dhe ka mirëkuptim për Serbinë, edhe gjatë këtyre ditëve të fundit po shkaktojnë bujë të madhe në Austri dhe në Evropë.

Lajme

13/02/2018 16:59

“Deklaratat e Straches janë një rrezik serioz për Austrinë, dhe nuk e di pse nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria për këto deklarata”, tha ish kancelari austriak dhe lideri i Partisë Socialdemokrate të Austrisë, Christian Kern.

“Këto deklarata janë si t’i hedhësh benzinë zjarrit, këto janë lëvizje taktike elektorale të cilat mund të sjellin një konflikt ndërkombëtar në shtetin tonë dhe të rrezikojnë sigurinë kombëtare të shtetit”, tha Kern, transmeton lajmi.net.

“Atë kohë, Kosova ishte ishte njohur si shtet nga Austria dhe ne kemi pasur edhe trazira e konflikte mes serbëve dhe kosovarëve të cilët jetojnë në Austri, ai me deklaratat e tij për të ashtuquajturën Republika Srpska në Bosnjë ka shkelur edhe konsensusin e Evropës, kjo është një rrezik për shtetin e Austrisë”, tha Kern.

Kern tha se nuk duhet të anashkalohet fakti që shumë ushtarë austriak janë të stacionuar në Kosovë në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Ballkan.

“Nuk duhet të harrohet fakti që qindra “helmeta të kaltërta” të ushtarëve tanë janë të stacionuar në Kosovë dhe Bosnjë, dhe ata janë të parët të cilët përballen me problemet atje, Strache jo vetën që e bën Austrinë një “objekt për të qeshur” mirëpo edhe e çon atë në një shoqëri shumë të dyshimtë”, shtoi Kern.

Ndryshe, reagime të tjera kishin ardhur edhe nga organet e shtetit Austriak, të cilat bënë të qartë që Austria nuk ka ndryshuar qëndrim karshi njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe ky është një fakt i pandryshueshëm./Lajmi.net/