Ish-inspektori i Komunës së Lipjanit dënohet me burgim me kusht për marrje ryshfeti

jykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur fajtor ish- inspektorin e Komunës së Lipjanit, Avni Bajrami, për kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

Lajme

14/03/2018 16:13

Bajrami, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda 1 viti, ai nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Paraprakisht, në seancën e së mërkurës, para shpalljes së aktgjykimit është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Prokurorja e rastit, Dulina Hamiti, gjatë fjalës së saj ka thënë se Prokuroria konsideron se nga administrimi i provave në shqyrtim gjyqësor, në mënyrë të plotë është vërtetuar se Bajrami ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Hamiti ka shtuar se është vërtetuar se më 15 mars 2011, Bajrami në cilësinë e personit zyrtar me dashje ka kërkuar para në shumë prej 350 euro nga ish i pandehuri Mexhid Krasniqi, për të mos ndërmarr veprime zyrtare edhe pse sipas autorizimit të tij zyrtar ka qenë i detyruar të ndërmerr.

Prokurorja, gjithashtu ka thënë se gjendja e fakteve e përshkruar në aktakuzë është vërtetuar nga provat e administruara të propozuara nga Prokuroria, por edhe gjykata sipas detyrës zyrtare me rastin e dëgjimit të Mexhid Krasniqit, në cilësi të dëshmitarit, për të cilin ishte hudhur aktakuza dhe pushuar procedura penale për shkak se ishte arritur parashkrimi absolut.

Sa i përket mbrojtjes së të pandehurit, prokurorja ka thënë se mbrojtja e tij e paraqitur ka qenë e pabazuar dhe se i njëjti është munduar t’i shmanget përgjegjësisë penale.

Nga gjykata, prokurorja ka kërkuar që Bajrami të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Ekrem Agushi, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se nga provat që janë shqyrtuar, konkretisht nga dëshmia e Mexhid Krasniqit, si dhe nga shkresat tjera të lëndës rrjedh se në veprimet e të mbrojturit të tij, nuk ekzistojnë veprime qenësore të veprës penale për të cilën akuzohet.

Sipas Agushit, me dëshminë e Krasniqit është vërtetuar se dëshmitari i ka dhënë 350 euro Bajramit, por në emër të huas, e jo të ryshfetit.

Mbrojtja ka konsideruar se në veprimet e Bajramit nuk ekzistojnë elementet e veprës penale, për të cilat është akuzuar, andaj ka propozuar që në mungesë të provave të lirohet nga akuza.

Mirëpo, Agushi deklaroi se nëse shpallet fajtor i mbrojturi i tij, mbrojtja kërkon që të vlerësohen rrethanat lehtësuese që ekzistojnë për Bajramin.

Këto rrethana, mbrojtja deklaroi se janë gjendja shëndetësore e tij, mosha si dhe e kaluara e tij ku asnjëherë nuk ka pasur probleme me ligjin dhe nuk është zhvilluar ndonjë procedurë penale ndaj Bajramit.

Agushi, i ka propozuar gjykatës se nëse i mbrojturi i tij shpallet fajtor ndaj tij të shqiptohet një dënim i butë dhe i përshtatshëm.

Pjesë e aktakuzës kanë qenë edhe Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, të akuzuar për dhënie të ryshfetit, por ndaj tyre është pushuar procedura penale pasi që vepra për të cilën janë akuzuar është parashkruar ndjekja penale.

Ish-Prokuroria Komunale në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 26 tetor 2011, duke e akuzuar Avni Bajramin se më 15 mars 2011, në cilësinë e personit zyrtar, inspektor në Komunën e Lipjanit, ka kërkuar dhe marrë për vete para në shumë prej 350 euro, nga i pandehuri i dytë Mexhid Krasniqi, për të mos ndërmarrë veprimin zyrtar sipas autorizimit.

Mexhid Krasniqi dhe Salih Dakaj, akuzoheshin se më 15 mars 2011, Krasniqi, në cilësinë e punëtorit, kurse Dakaj në cilësinë e bashkëpronarit të N.P.N “Çlirimi”, me dashje dhe në bashkëveprim i kanë dhënë shumën prej 350 euro të pandehurit Avni Bajrami, për të mos ndërmarr veprim zyrtar në mënyrë të mos i pengoi kamionët e të N.P.N “Çlirimi”, për ta hedhur dheun në lokacionin, pronë private, në afërsi të kompanisë “Kosova Asfalt”, në Lipjan./betimiperdrejtesi.com