Ish-hetuesja e Limajt: Kam pasur qëndrim të ndryshëm nga prokurori

Ish-hetuesja e rastit MTPT Marina Toivonen tha sot në gjykatë se kishte mendim ndryshe nga ish-prokurori i këtij rasti.

Lajme

03/11/2017 12:41

Marina Toivonen, ish-hetuesja finlandeze e rastit MTPT në ditën e dytë të dëshmisë së saj iu përgjigj pyetjeve të shtruara nga i akuzuari Fatmir Limaj.

Limaj e pyeti ish-hetuesen e tij dhe të tjerëve për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, se a kishte vërejtur që diçka nuk ishte në rregull në lidhje me këtë hetim.

Duke iu përgjigjur kësaj pyetje, Toivonen tha se kishte mendim ndryshe nga ish-prokurori i kësaj çështjeje Johanes Pickert.

“Nuk dua ta fajësoj askë dhe kam përgjegjësinë për këtë, edhe pse unë kam pasur qëndrim të ndryshëm nga prokurori dhe kjo nuk do të thotë që kemi pasur zënka, por në të gjitha hetimet është mirë me pa një rast nga kënde të ndryshme”, tha Toivonen.

Ajo tregoi se hetimet që lidhen me akuza të rënda janë të vështira, sidomos kur legjislacioni për to nuk është i njëjtë në vende të ndryshme.

“Pasi që akuzat ishin të rënda nuk e kam parë se hetimi është bazuar në informata të gabuara. Një nga veprat penale është pastrimi i parave dhe hetimi lidhur me këtë krim është sfidues dhe posaçërisht kur kemi rregulla që janë të ndryshme nga vendi im”, tha Toivonen.

Limaj e pyeti ish-hetuesen se si vepron gjatë kryerjes së punës së saj kur pranon një letër që denoncon dikë.

“Nëse unë kisha me marrë një letër prej dikujt ku ka akuza për ndonjë pretendim ndaj dikujt, unë dhe të gjithë të tjerët për të qenë objektivë intervistojmë dëshmitarë dhe duke u bazuar në ato deklarata marrim veprime, shikojmë llogari bankare, regjistra dhe kjo është për hir të reagimit dhe pastaj policia bën një raport lidhur me këto intervista dhe kjo është se si veprojmë në vendin tim në Finlandë”, tha Toivonen.

Limaj pastaj e pyeti ish-hetuesen e rastit MTPT se a janë ndjekur këta hapa gjatë këtij hetimi, duke shpjeguar se ai filloi të hetohej pas një letre që i shkoi EULEX-it nga biznesmeni tash i ndjerë Mehmet Shkodra.

“Pajtohem se ka ndodhur siç ka thatë ju. Letra i është dorëzuar EULEX-it dhe PSRK dhe është bërë intervista me Shkodrën dhe kur kam arritur unë bastisjet e shtëpive ishin bërë 6 muaj më parë, hetimet ishin duke u zhvilluar dhe prokurori ishte në detyrë”, tha Toivonen.

Ish-hetuesja tha se atëherë nuk kishte parë se diçka nuk shkonte si duhet në atë hetim, por shtoi se duhet të bëhet hulumtim, para se të ndodhin bastisjet dhe arrestimet.

“Në atë moment nuk kam menduar se diçka nuk po zhvillohej mirë, por siç thatë ju, mënyra jonë është që të bëjmë një hulumtim të thellë në fillim para se të merren masa për arrestim ose bastisje të shtëpive”, tha Toivonen.

Ajo tregoi më tutje se është diskutuar rreth raportit për bastisjet dhe rezultatet që kanë dalë prej tij.

“Ne e kemi diskutuar raportin për bastisjet dhe rezultatin që ka dalë dhe gjatë kohës sime si hetuese udhëheqëse kjo ka qenë pjesa e vetme interesante”, tha Toivonen.

Ish-hetuesja e rastit MTPT dëshminë e saj e nisi dje. Për këtë dëshmi ajo erdhi nga Finlanda, pasi punën në EULEX tha se e kishte përfunduar në shkurt të vitit 2014.

Në këtë proces gjyqësor Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar lidhur me tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve në Komunën e Gjilanit. Për të njëjtat vepra ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku e Florim Zuka.

Limaj këtë aktakuzë që nga EULEX-i quhet e konsoliduar pasi në të janë bashkuar rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 më 30 tetor të vitit të kaluar e cilësoi të ngritur me urdhër politik./Kallxo.com