Ish futbollistët e Trepçës zbulojnë se çfarë u bëri klubi nga Superliga

Futbollistët Arbër Potoku, Lapidar Lladrovci, Fiton Hajdari, Përparim Islami, Bledar Hajdini dhe Argjend Musftafa e kanë akuzuar ish-klubin e tyre Trepça '89 se i ka gjobitur me tri paga.

Sport

21/07/2018 12:07

Në letrën dërguar mediumeve, kanë akuzuar ish-klubin e tyre Trepça ’89 se nuk ua ka paguar tre muajt e fundit (prill, maj dhe qershor) të edicionit të shkuar.

Në letrën e gjatë të bërë publike thuhet se kanë paraqitur ankesë edhe në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Futbollistët presin mbrojtje nga organet e FFK-së. Dhe siç shkruhet në letër, nëse edhe te FFK-ja nuk gjejnë mbrojtje, atëherë do t’i drejtohen UEFA-s dhe mundësi të fundit e shohin Gjykatën. Por te ish-kampionia e Kosovës ndihen të pastër.

“Nëse nuk ka diçka konkrete nga FFK-ja do t’i drejtohemi edhe UEFA-s, dhe pasi t’i kemi shterur të gjitha mundësitë, si opsion të fundit do t’i drejtohemi Gjykatës. I kemi mbledhur të gjitha faktet e dokumentet e nevojshme për padi. Trepça ’89 nuk ka mundësi të licencohet më për gara evropiane pa u kryer obligimet ndaj nesh, nëse kjo ndodh do të përbënte shkelje të rëndë të statuteve e rregulloreve të UEFA-s!”, thuhet ndër të tjera në letrën e përbashkët të gjashtë futbollistëve.

Në letër thuhet se klubi i ka dënuar me pagën e muajit prill për humbjen ndaj Gjilanit, pastaj me pagën e muajit maj për mosvazhdim të stërvitjeve deri në fund të qershorit”, kurse me pagën e muajit qershor për mosvazhdim të kontratave edhe për një vit.

“Ne, që me angazhimin tonë kontribuuam në suksesin e vitit të kaluar, duke e shpallur Trepçën ’89 kampione dhe duke i dhënë të drejtën të luajë në kualifikime të Ligës së Kampionëve, si ekipi i parë historik, me ç’rast i kemi siguruar të ardhura të majme (rreth 500 mijë euro nga FFK-ja dhe UEFA) nuk e meritojmë këtë trajtim”, thuhet tutje në letër.

Në klubin mitrovicas thonë se futbollistët nuk u janë përmbajtur kontratave.

Kryetari i klubit, Abedin Zeka, ka theksuar se nëse klubi u ka borxh lojtarëve më së miri e tregon gjendja bankare e secilit lojtar.