Ish-deputeti Muja thotë se në një takim me ish-ministrin Alush Gashi, ishte diskutuar çështja e licencës së “Medicus”

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Shaip Muja, ka deklaruar se në një takim që kishte pasur me ministrin e atëhershëm të Shëndetësisë, Alush Gashi, ishte diskutuar edhe çështja lidhur me licencën e klinikës “Medicus”.

Lajme

21/11/2017 19:56

Muja, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë dëshminë e tij, në gjykimin e rastit “Medicus”, në të cilin për vepra të ndryshme që lidhen me transplantim të veshkave, akuzohen mjekët Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini.

Shaip Muja, i cili në atë kohë ka qenë këshilltar i kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ai takim me ish-ministrin Gashi, ishte zhvilluar në restorantin “De Rada”, në Prishtinë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Valeria Bolici, Muja ka thënë se në mesin e shumë problemeve që kanë diskutuar në atë darkë, ka qenë edhe tema rreth kërkesës së mjekut Lutfi Dervishi, i cili e kishte dërguar në Ministrinë e Shëndetësisë.

Këtë diskutim, Muja tha se e ka bërë, pasi që Dervishi i ishte ankuar atij, se kërkesa nuk po shqyrtohet nga kjo ministri.

Muja, ka shtuar se ministri Gashi i kishte thënë atij se do ta bënte çdo gjë në kohën e duhur dhe në mënyrë ligjore, pasi sipas tij, si këshilltar i kryeministrit në atë kohë, thotë se nuk ka pasur të drejtë të vendos apo të urdhëroi.

Prokurorja Bolicci e ka pyetur atë, nëse gjatë asaj kohe e ka thirrur në telefon mjekun Dervishi, derisa Muja ka thënë se nuk i kujtohet, mirëpo, vullneti i ministrit thotë se ka qenë pozitiv.

Sipas Mujës, lëshimi i licencës, në atë kohë ka pasur pengesa ligjore, pasi sipas tij, Ligji për Shëndetësi, nuk e ka paraparë transplantimin e organeve, por ministritë në mungesë të ligjit kanë pasur mundësi që të përdorin hapësirën ligjore që me udhëzim administrativ në situata të veçanta të përgatiten licenca.

I pyetur nëse kur ka mësuar në vitin 2008, se ka probleme ligjore të lëshohet licenca, nëse e ka kontaktuar Dervishin dhe nëse i ka treguar që ka çështje administrative, për shkak të të cilave nuk po lejohet, Muja, tha t’i ketë thënë Dervishit se personalisht nuk mund të bëjë më tepër se sa të interesohet për rastin e licencës, duke e këshilluar t’i ndjekë rrugët ligjore.

Ish-deputeti Muja, gjithashtu ka folur edhe për doktorin Yusuf Sonmez, të cilin tha se e ka takuar në vitin 2008, në dasmën e Alban Dervishit (djali i Lutfi Dervishit), dhe nuk i kujtohet se e ka takuar më parë.

Bolicci, e pyeti se a ka qenë Sonmez anëtar i stafit për transplante, por Muja, tha sa e di për urologji dhe çdo kirurg në urologji është i edukuar dhe mund të edukohet lehtë për të transplantuar organe.

Ndërsa, ai shtoi se kur është takuar me Sonmez, kërkesa për transplantim të veshakëve ka qenë në shqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë.

Muja, është pyetur nga Bolici nëse e njeh Shëlzen Sylaj, ndërsa ai është përgjigjur se e njeh dhe sipas tij, para luftës i njëjti ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ka qenë shef i batalionit 40 të shëndetësisë të Trupave Mbrojtës të Kosovës dhe sipas tij, kanë punuar bashkë nga viti fundi i vitit 1999, deri në fund të vitit 2001.

Muja, gjithashtu shtoi se kanë pasur raporte korrekte zyrtare, ndërsa me familjarët e tij është njohur pasi vijnë nga regjioni i njëjtë mirëpo, theksoi se nuk kanë pasur hyrje apo dalje, e dreka, darka të përbashkëta.

Ndërsa, Muja ka treguar edhe për kohën se kur e ka njohur mjekun Lufti Dervishi. Muja, tha se e njeh si emër shëndetësor dhe është nga i njëjti fshat prej nga vjen. Kurse, pas luftës sipas tij, ka pasur mundësi ta njoh diku pas vitit 2000 apo 2001.

I pyetur se a e ka takuar dhe ku e ka takuar nga viti 2000 deri në 2007, Muja u përgjigj se 100% të rasteve që i kanë lidhur kanë qenë kur ka pasur nevojë për nënshtrime në urologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) si dhe klinikën e tij private.

I pyetur se a ka rekomanduar pacientë tek Dervishi, Muja, tha se ka rekomanduar pacientë kur njerëzit e kanë pyetur për udhëzime , dhe në bazë të kapacitetit të tij i ka udhëzuar ku mund të shkojnë të bëjnë trajtime të mira apo te cili person.

Ndryshe, në seancën e së martës, e ka dhënë dëshminë e tij, edhe Osman Veliu, i cili atë kohë ka qenë udhëheqës i divizionit për sektorin privat në Ministrinë e Shëndetësisë dhe anëtar i bordit për licencimin e shërbimeve shëndetësore private.

Veliu ka deklaruar se kërkesa e “Medicus” për licencë në mungesë të bazës ligjore ka qenë e pezulluar.

Avokati mbrojtës i Lufti Dervishit, Valon Hasani, i ka prezantuar një shkresë të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar “Medicus” në të cilën titulli ishte “Konfirmim për licencë për shërbime urologjike”, dhe e ka pyetur nëse kjo ka mundur të jetë përgjigje nga bordi me të cilën spitali special njoftohet edhe për lejimin e kryerjes së një procedure shtesë?

Veliu, tha se sa i kujtohet atëherë kur ka qenë anëtar, e kanë diskutuar kërkesën e “Medicus” dhe janë marrë vesh që ta draftojnë udhëzimin dhe t’ia prezantojnë ministrit për arsye se për asnjë procedurë të re nuk ka qenë kompetent kryetari i bordit apo sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, mirëpo sipas tij, ka qenë ministri.

I pyetur nga avokati Hasani, se a i kujtohet nëse baza ligjore për këtë shtojcë të udhëzimit administrativ ka qenë neni 110 i Ligjit për Shëndetësi, ka thënë se e di që me nenin 46 të ligjit ndalohet marrja, bartja, transporti, deponimi, ruajtja dhe transplantimi i organeve, indeve, qelizave, përveç auto transplantimit.

Veliu, është pyetur nga prokurorja Valeria Bolici, nëse i kujtohet se në kohën kur ka qenë anëtar nëse kanë marr kërkesë nga “Medicus” në lidhje me ofrimin e shërbimeve të transplantimit të veshkave, por ai ka thënë se e din që e kanë pranuar një aplikacion për një spital urologjik. Mirëpo, tha se nuk kanë arritur të bëjnë vlerësimin e atij aplikacioni, për arsye se ka qenë faza fillestare e punës në licencimin e institucioneve spitalore, dhe aplikacioni sipas tij, nuk e ka arritur fazën në të cilën komisioni është dashur ta vlerësojë.

Ndërsa, gjatë kësaj seance, palët në procedurë janë pajtuar që dëshmia e Shaban Osmanaj të konsiderohet e lexuar.

Seanca e ardhshme pritet të mbahet më 22 nëntor, me fillim nga ora 10:00, ku do të dëgjohet dëshmitari Zef Komani.

Gjykimi maratonik i rastit “Medicus”

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Shqyrtimi kryesor për këtë rast filloi më 4 tetor 2011. Ndërkaq, më 22 mars dhe 17 prill 2013, u bë ndryshimi dhe zgjerimi i aktakuzës në fjalë.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 shpalli verdiktin final për këtë rast. Sipas aktgjykimit Lutfi Dervishi u dënua me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq u refuzuan akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i’u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale u dënua edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti u lirua nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me këtë aktgjykim, Sokol Hajdini u lirua nga akuza për “krim të organizuar”, por u dënua për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, u shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, u refuzuan.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla u shpallën fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe u dënuan me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre u refuzua akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj u shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” u refuzua. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore urdhëroi mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 ka shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre ka rritje të dënimit deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, u shpallën të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Ky aktgjykim u ishte dërguar të gjitha palëve ndërmjet 25 shkurtit dhe 4 marsit 2015.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kërkoi nga Gjykata Supreme të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kanë parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme ka hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Ndërkaq, me 20 shtator, kjo gjykatë mori aktgjykim lidhur me ankesat e parashtruara nga Sokol Hajdini dhe avokati i tij mbrojtës, sipas të cilit Hajdini lirohet nga akuza e “krimit të organizuar”. Ndërkaq, iu vërtetua dënimi sa i përket veprës penale “lëndim i rëndë trupor”, dhe kohëzgjatja e burgimit u ndryshua në tre vjet.

Kundër këtij aktgjykimi, më 2 nëntor 2016 dhe 30 nëntor 2016, Sokol Hajdini dhe Kryeprokurori i Shtetit kanë paraqitur kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Sa i përket këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë gjithashtu kishte lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për Lutfi dhe Arban Dervishin, pas arratisjes së tyre nga ekzekutimi i dënimit, pas vërtetimit të formës së prerë të aktgjykimit nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty.