Ish-avokati i Milosevic’it viziton familjen e Ivanovic’it

Toma Fila do të vizitojë së shpejti familjen e të akuzuarit për krime lufte, Oliver Ivanovic. Ai thotë se do t’i ofrojë mbështetje morale dhe juridike për Ivanovic dhe të paraburgosurit tjerë serbë.

Lajme

27/02/2014 13:13

Këshilltari i Kryeministrit të Serbisë, Toma Fila, ka konfirmuar se së shpejti do të vizitojë Mitrovicën e Veriut për ndihmuar Oliver Ivanovic’in dhe familjen e tij.

Fila, avokati i ish-Kryetarit famëkeq të Serbisë, Slobodan Milosevic, ka deklaruar për të përditshmen serbe, “Nase Novine”, se do të udhëtojë për në këtë qytet të Veriut të Kosovës “pa marrë parasysh vendimin e Prokurorisë së EULEX’it për ta vazhduar paraburgimin për Ivanovic’in”.

“Është e vërtet se në ditë e ardhshme unë do të vizitojë familjen e Ivanovic’it, për t’i dhënë të paktën përkrahje morale dhe këshilla gjyqësore dhe për t’i ndihmuar ata aq sa kam mundësi”.

Ai vlerësoi se Qeveria në Beograd “ka bërë çdo gjë që është e mundur për të mbështetur liderin e Iniciativës Qytetare SDP”.

“Beogradi ka bërë pjesën e vet, aq sa ka mundur, duke filluar nga dhënia e garancive për lirimin e Ivanovic’in dhe serbët e tjerë të paraburgosur. Kryeministri i Serbis, Ivica Dacic, ka folur për rastin e Ivanovic’it edhe në Bruksel dhe New York, ashtu siç ka bërë edhe Presidenti Tomislav Nikolic”.

“Fatkeqësisht, nuk varet shumë nga ne dhe mund vetëm të shpresojmë që drejtësia do të kryej punën e vet”.