Isa Mustafës nuk pritet t’i lëkundet karrigeje në LDK

Zërat kundër koalicionit PDK-LDK brenda kësaj të fundit nuk pritet të sjellin frymë të re dhe lidership të ri brenda subjektit që ka mbushur 25 vjet në skenën politike të Kosovës. Ndonëse fuqia politike e të pakënaqurve të LDK-së, si dhe mbështetja e elektoratit të saj është mjaft e madhe, kjo nuk pritet ta lëkundë karrigen e Isa Mustafës si lider partie.

Lajme

14/12/2014 09:38

Të paktën kështu vlerësojnë analistë politikë, sipas së cilëve shtyrja e zgjedhjeve brenda LDK-së, të parapara për t’u mbajtur në dhjetor të këtij viti, është vetëm një dëshmi që Mustafa dëshiron të fitojë kohë për të mos iu lëkundur pozicioni që ka.

Fisnik Korenica, nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, në një prononcim dhënë Tribunës, ka thënë se Mustafa është i vetëdijshëm për kundërshtitë brenda partisë si dhe për humbjen e zgjedhjeve të LDK-së, e cila më 8 qershor u rendit partia e dytë në vend.

“Shtyrja e mundshme e zgjedhjeve të brendshme ka për qëllim që z. Mustafa në këta muajt e ardhshëm ta centralizojë tutje partinë, t’i mbysë zërat kundër dhe ta krijojë një klimë mbështetëse për të nga strukturat e partisë, duke iu dhënë atyre pozita në strukturat e administratës shtetërore”, ka thënë Korenica.

(Tribuna)