Isa Mustafës nuk i ka pëlqyer shkrimi autorial i Kadri Veselit

Përmes profilit të tij në Facebook, lideri i LDK-së, Isa Mustafa, i cili është pezulluar nga pozita e kryeparlamentarit me vendim të Gjykatës Kushtetuese, deri në një vendim tjetër, ka akuzuar PDK-në për bllokim të institucioneve, duke thënë se kjo parti duhet ta paguajë dëmin që po i shkaktohet Kosovës nga kjo bllokadë.

Lajme

13/08/2014 15:32

Mustafa ka reaguar një ditë pas një shkrimi autorial të nënkryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, për të cilin lideri i LDK-së, madje ka hedhur edhe dyshime në autorësinë e këtyre shkrimeve.

“Shkruani sa të doni vet, apo porosisni tjerët të shkruajnë për juve, e ju dërgoni ato si artikuj autorial. Njëjtë e keni. Askush nuk ju beson. Bllokada dhe bllokuesit u panë qartë”, ka thënë Mustafa, një ditë pasi Veseli kishte shkruar një shkrim autorial me titull “Përçmimi i frikshëm i klasës politike” (http://lajmi.net/percmimi-i-frikshem-i-klases-politike_100075153.html).

Në këtë shkrim, Veseli kishte pyetur se “në qoftë se nuk mund të ketë parti fituese apo koalicion fitues të dalë prej zgjedhjeve, atëherë çfarë kuptimi ka gara e zgjedhjeve demokratike, kur pas garës mund të humbë tërësisht kuptimi i saj, për t’u zëvendësuar gjithçka nëpërmjet improvizimeve dhe ‘përzierjeve të trishta’, të them me figurë!?”

Shkrimi që ka “ngacmuar” Mustafën, e ka bërë këtë të fundit të bëjë nnjë “replikë” përmes Facebook-ut, duke shtruar pyetje dhe hedhur fajin për zhvillimet politike pikërisht tek partia e Veselit.

Lexojeni më poshtë reagimin e plotë të Mustafës në profilin e tij në Facebook:   

“PDK dhe koalicionistët e saj po bëjnë propagandë pa krip për bllokadën e institucioneve. E unë i pyes: Kush e bllokoi Seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës më dt. 17 Korrik?

Kush i la peng për tre orë 83 deputetë në sallë? Kush ua pamundësoi deputetëve që kishin dhënë betimin të diskutojnë e të shprehin mendimet? Kush abuzoi me rendin e ditës? Kush e dërgoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të pezullimit për Kryetarin e zgjedhur me pjesëmarrje të 83 deputetëve, me 65 vota? Dhe, Gjykata jo vetëm që pezulloi Kryetarin, por shkoi edhe më larg, e ndaloi edhe punën e deputetëve që kanë marrë votën e popullit, por nuk pezulloi nënkryetarët e zgjedhur në të njëjtën procedurë!? Kush i jepte udhëzime Kryesueses se si të bllokojë Kuvendin, që shihet edhe në xhirim?

Ishin njerëzit nga rendi i parë i PDK-së. Prandaj, ju të PDK-së jeni ata që krijuat bllokadë dhe ju duhet ta paguani dëmin që Kosovës po i shkaktohet nga kjo bllokadë. Shkruani sa të doni vet, apo porosisni tjerët të shkruajnë për juve, e ju dërgoni ato si artikuj autorial. Njëjtë e keni. Askush nuk ju beson. Bllokada dhe bllokuesit u panë qartë”.