Isa Mustafa thotë se LDK ka orientim të qartë ekonomik

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duke komentuar deklaratën e kryeministrit Thaçi se “Mustafa e ka humbur Prishtinën, prandaj s’mund ta synojë Kosovën”, ka thënë se Prishtina është kapitull i mbyllur dhe se LDK ka plan të qartë ekonomik. 

Lajme

05/05/2014 23:03

Ai ka porositur kryeministrin Thaçi “që të mos i shtrojë çështjet” në mënyrën se si po i shtron.

“As unë as kryeministri nuk mund t’i shtrojmë çështjet kështu. Prishtinën e konsideroj kapitull të mbyllur, kemi orientim të qartë për zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë Mustafa në emisionin “Subvencion” të RTK-së.

Mustafa ka kritikuar investimet e qeverisë aktuale, duke thënë se ka pasur investime kryesisht infrastrukturore, të cilat kanë përjashtuar firmat vendore.

“Ne do ta ndryshojmë strukturën e investimeve. Investimet deri tani i kemi pasur kryesisht në infrastrukturë, prej të cilave, për fat të keq, nuk kanë përfituar firmat vendore, por ato të jashtme. Ne mendojmë të bëjmë strukturimin e investimeve kapitale, të cilat do të nxisin drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik”, ka thënë kreu i LDK-së.