Isa Mustafa thotë se Haradinajt ia tregoi qëndrimin e LDK-së për dialogun

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa nëpërmjet një postimi në rrjetin social facebook ka konfirmuar takimin e mbrëmshëm me kryeministrin aktual, Ramush Haradinaj.

Lajme

08/07/2018 11:48

Mustafa në rrjetin e tij social ka bërë të ditur se me Haradinaj ka diskutuar për dialogun me Serbinë.

“Mbrëmë prita Kryeministrin Haradinaj, me të cilin diskutuam lidhur me qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i kemi bërë publike si Kryesi e LDK-së dhe nga takimi me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa, transmeton lajmi.net.

Tutje i pari i LDK-së ka thënë se gjatë periudhës së rehabilitimit ka pasur takime edhe me liderë të tjerë, dhe korin diplomatic.

“Pas kthimit tim në Kosovë, para tre muajsh, ku akoma jam në proces të rehabilitimit fizioterapeutik, më kanë vizituar Presidenti Thaçi, Kryeministri Haradinaj, zv.Kryeministri Limaj, zv.Kryeministri Pacolli si dhe Kryetari i VV-së, z.Kurti. Jam takuar me Ambasadorin e SHBA-së, Greg Delawie, me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ruairí O’Connell, më ka vizituar Ambasadorja e BE-së, znj.Apostolova dhe Shefja e EULEX-it, znj.Papadopoulou. Të gjithëve u jam falenderues për kujdesin dhe korrektësinë e treguar”, ka shkruar Mustafa.

Edhe pse nuk e ka dhënë një qëndrim të qartë për negociatat me Serbinë, Mustafa thotë se LDK-ja do të jetë unike.

Kjo pavarësisht se ditëve të fundit ka pasur kundërshtimet ndërmjet Lutfi Hazirit dhe zyrtarëve tjerë të LDK-së, për atë se kush duhet të udhëheq dialogun.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë kontributin e saj në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe këtë kontribut po e jep edhe tani si subjekt opozitar parlamentar.  LDK është unike në çështjet madhore siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.  Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, përfundon postimi i Isa Mustafës në facebook.

Ndryshe aktualisht opozita po e kundërshton ashpër udhëheqjen e dialogut nga presidenti Thaçi.

Kjo ka bërë që edhe platforma e qeverisë të hiqet nga rendi i ditës në Kuvend. /Lajmi.net/