Isa Mustafa propozoi zgjedhjet në qershor

Nënkryetarja e LDK’së, Teuta Sahatqija, thotë se Isa Mustafa propozoi që zgjedhjet nacionale të mbahen në qershor. Më herët, gjatë ditës, lajmi.net raportoi për disponimin e koalicionit qeveritar për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor.

Lajme

23/01/2014 18:52

Lidhja Demokratike e Kosovës pohon të jetë nismëtare e idesë që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen në qershor të këtij viti.

Nënkryetarja e këtij subjekti politik, Teuta Sahatqija, thotë për lajmi.net se ka qenë vetë Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, që u ka propozuar partive tjera mirëkuptim për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor.

“Propozimi fillestar ka qenë nga Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, i cili në bisedë me kryetarët e partive të tjera, në një bisedë joformale, ka kërkuar mirëkuptimin për të bërë zgjedhje në qershor të këtij viti”.

“Arsyetimi i Kryetarit Mustafa ishte që në qershor është dita e gjatë, temperaturat janë të përshtatshme, si dhe se ekziston mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në kushte optimale”.

“Pos këtyre zgjedhjeve që do të mbaheshin në qershor të këtij viti, do të krijohej mundësia që të gjitha zgjedhjet e tjera të organizohen në pjesën e parë të vitit, ku ekzistojnë kushtet optimale për këto zgjedhje”.

“Në anën tjetër, mbajtja e zgjedhjeve në shtator i ka ato pengesat e veta, si për shembull, muaji korrik edhe gusht janë muajt me aktivitet të pakët, me njerëz të cilët janë nëpër pushime dhe me pengesa të mbajtjes së zgjedhjeve”.

Më herët gjatë ditës lajmi.net Teuta Sahatqija thotë se kjo është po ashtu një arsye e fortë për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor.

“Kjo është ekstra edhe një adut për atë që zgjedhjet patjetër duhet të mbahen sa më shpejt. Do të thotë përveç kushteve atmosferike dhe optimale, është edhe çështja se Qeveria po tregon paaftësi të mbajtjes së Kuvendit”.

“Mjafton të shihet privatizimi i PTK’së, kur nuk arriti që t’i mbledhë votat për ta kaluar privatizimin dhe çështje të tjera të rëndësishme për Kosovën, që kërkojnë një numër të votave dhe që Qeveria në këtë hapësirë kohore po shihet që nuk ka fuqinë e mbajtjes së Kuvendit. Prandaj, një ditë e më parë, do të duhej që të hyhet në zgjedhjet nacionale”.

Por, si do të shkohet në zgjedhje në qershor?

Së pari, nevojitet pajtimi i të gjitha partive politike, e cili do të shtynte Presidenten të shpallë zgjedhjet e reja nacionale. Zgjedhjet, siç dihet, pastaj do të duhej të mbaheshin 6 muaj pas dekretimit nga Presidentja, në mënyrë që edhe partitë, edhe KQZ të kenë kohë të mjaftueshme për përgatitjen e tyre.

Kjo procedurë normale përjashton mundësinë që zgjedhjet të mbahen në qershor, pasi qershori është larg vetëm pesë muaj.

Por, a mund të përsëritet skenari i vitit 2010 kur Qeveria me ndihmon e AKR’së e rrëzoi veten dhe çoi vendin në zgjedhje të reja?

“Po mundet”, pohon Nënkryetarja e LDK’së.

“Por, sido që të jetë, çfarëdo skenari që të jetë, mendoj që skenari më i mirë është që të jepet një hapësirë e përgatitjes të zgjedhjeve të mirëfillta dhe që zgjedhjet të mbahen me kohë, në mënyrë që të përgatitet edhe KQZ’ja, edhe opinioni për mbajtjen e zgjedhjeve si duhet, në qershor”.

“Qershori është edhe pesë muaj. Mendoj që është hapësirë e mjaftueshme kohore për përgatitje të mirëfillta, pa pasur nevojë që të ngutemi për zgjedhje të jashtëzakonshme ku mund të ketë probleme në përgatitje”.

“Por, shihet qartë, qofshin ato zgjedhje të jashtëzakonshme, qofshin të parakohshme, qofshin zgjedhje të rregullta, LDK’ja është e përgatitur që edhe nesër në qoftë se mbahen zgjedhjet të marrë pjesë edhe t’i fitojë ato zgjedhje”, thotë Nënkryetarja e LDK’së, Teuta Sahatqija, për lajmi.net.