Isa Mustafa në spotin zgjedhor të Sebastian Kurz

.

Lajme

10/10/2017 15:24

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është përfshirë në fushatën për zgjedhjet parlamentare në Austri përmes një spoti reklamues në mbështetje të ministrit aktual të punëve të jashtme të Austrisë, Sebastian Kurz , nga Partia Popullore e Austrisë.

Në spotin e realizuar në kuadër të fushatës për zgjedhjet që në Austri mbahen më 15 tetor, mbështetjen për ministrin austriak e kanë dhënë edhe lideri shqiptar i opozitës, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe ministri i Punëve të jashtme i Bosnjës e hercegovinës, Igor Crnadak.

“Jam shumë i lumtur që kam mundësinë t’ju uroj suksese në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Austrisë. Partia Popullore e Austrisë ka qenë gjithnjë në krah të LDK-së. Ne ju kemi marrë si shembull se si duhet ndërtuar dhe strukturuar një parti moderne të qendrës së djathtë e cila punon për qytetarin dhe për vendin e vet”, thotë Mustafa në këtë spot të publikuar në profilin e Sebastian Kurz në Facebook, raporton Kallxo.com.

“Keni treguar një lidership të mrekullueshëm si ministër i punëve të jashtme të Austrisë. Keni përkrahur fuqishëm proceset e bashkëpunimit dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thotë Mustafa.

Ndërsa Basha e përshkruan ministrin Kurz si një njeri “që e njeh Ballkanin dhe Shqipërinë shumë mirë”.

“Ka punuar me ne për të ardhmen tonë dhe për ta forcuar standardet kundër krimit e drogës, për ta luftuar korrupsionin dhe mbi të gjitha për t’i stabilizuar vendet tona si dhe për ta bërë të mundur që Shqipëria dhe pjesa tjetër e Ballkanit Perëndimor prosperon nëpërmjet demokracisë dhe ekonomisë së tregut”, tha Basha.