Isa Mustafa mund ta pësojë si Pacolli, por edhe parlamenti në rrezik

Analisti politik, Naim Rashiti thotë se kriza institucionale dhe konflikti rreth kushtetutshmërisë së institucioneve filloi, pavarësisht se çfarë vendimi nxjerr Gjykata kushtetuese.

Lajme

18/07/2014 00:22

“Megjithatë shumë qartë sot janë bërë shkelje të cilat mund t’i anulojë Gjykata Kushtetuese. Koalicioni LDK-AAK-NISMA ka zgjedhur kryetarin, por në këtë mënyrë ka rrezikuar shumë. Çka ndodh nëse Gjykata rrëzon këto vendime. Isa Mustafa mund ta ketë fatin e Pacollit, por në këtë rast besoj se bie edhe i tërë parlamenti, nëse konstatohet se janë bërë shkelje kushtetuese”, ka shkruar Rashiti në Facebook.

Sipas tij, të gjitha partitë, duke filluar nga PDK-ja, janë fajtore që nuk janë ulur të pajtohen për procedurën apo që së bashku t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.

“Formën që kanë vepruar të dy kampet kanë provuar ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit në një farë mënyre vjedhurazi. Pra nëse Gjykata konstaton shkelje, do të jetë keq dhe me gjasë shpërndahet parlamenti. Kjo do të ketë një kosto për koalicionin. Nëse Gjykata konstaton se procedurat janë respektuar, PDK duhet të respektojë atë dhe pranojë Isa Mustafën si kryetar legjitim të parlamentit”, ka shkruar Rashiti.