Isa Mustafa: Kam pritur fitore pa balotazh

Isa Mustafa kishte pritur fitore pa balotazh në Prishtinë, në zgjedhjet e djeshme. Thotë se ka pritur që të marrë më shumë se 50 për qind të votave. Por, qytetarët menduan ndryshe dhe rezultatet përmbysën shpresat e tij për fitore në raundin e parë.

Lajme

04/11/2013 11:26

Isa Mustafa ka dalë të hënën në mëngjes në vendin e tij të punës, të cilin po synon ta mbajë edhe në katër vjetët e ardhshme.

Ai kishte pritur fitore pa balotazh në zgjedhjet e djeshme, por rezultati zyrtar ka përmbysur shpresat e tij.

Në një deklaratë për Klan Kosovën, të dhënë sot, ai ka pohuar se pritjet e tij ishin ndryshe.

“Kam qenë i bindur se Prishtinën do ta fitoj pa balotazh. Do të thotë, kam pritur se do të kalonin mbi 50 për qind, sepse vërtet është punuar shumë, është punuar në të gjitha pjesët”, ka thënë Mustafa, për Klan Kosovën.

“Duket se ka pasur hyrje të reja mjaft të mëdha të elektoratit. Është parë se dalja në votim ka qenë e madhe dhe kanë qenë gati 20 mijë votues të rinj që i janë bashkangjitur këtij procesi të votimit”.

Ai ka thënë gjithashtu se e pret punë e madhe në Komunën e Prishtinës.

“Dje kam përcjellur rezultatet e zgjedhejve,  për Këshilltarët e Kuvendeve Komunale dhe për Kryetarë të Komunave. Është dashur të bisedoj edhe me simpatizantët e LDK’së, meqenëse ata dolë dhe ishin të interesuar që t’i përcillnin votat, në mënyrë që të mos mbesin deri vonë në qytet”.

“Sot, kam ardhur në mëngjes në punë sepse është Prishtina është Komunë e madhe, ka punë shumë edhe nuk e pret puna punën”.

“Mendoj se lodhja nga dita e djeshme  ka kaluar kështu që sot ka filluar dita normalisht”.