Isa Mustafa fshin postimin për djalin në Facebook

Isa Mustafa ka bërë mbrëmë një postim në Facebook, në të cilin kërkonte nga kundërshtarët e tij politikë që të luftohet ai, e jo familja e tij. Aty, ai pranonte prezencën e djalit të tij në videon e shumëpërfolur. Më pas, e ka fshirë atë postim.

Lajme

05/12/2013 10:54

Isa Mustafa, mbrëmjen e së mërkurës, ka bërë një postim në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin ka reaguar lidhur me videon e shumëpërfolur gjatë ditëve të fundit të fushatës së balotazhit  – ku shihej djali i tij Arbeni duke i bërë ofertë një aktivisti të Vetëvendosjes të kalonte në radhët e LDK’së.

Lideri i LDK’së ka shkruar në Facebook se është drejtësia ajo që duhet të sqarojë rastin, ndërsa nga kundërshtarët politikë dhe mediat ka kërkuar që të merren me të, e jo me familjen e tij.

Në këtë postim të tij, i cili është publikuar nga mediat online kosovare, Mustafa, për herë të parë, ka pranuar prezencën e djalit të tij në videon që ngjalli debat në opinion.

Por, pas pak kohe, Isa Mustafa e ka fshirë atë postim nga llogaria e tij në Facebook.

Ky ishte postimi i tij:

“Këto ditë u bë shumë bujë rreth një videoje që paraqet djalin tim Arbenin të ketë biseduar me një të ri rreth mundësisë që ai t’i bashkëngjitet Forumit Rinor të LDK-së.”

“U tha, po ashtu, nga disa media se është iniciuar procedura hetimore për këtë rast”.

“Konsideroj se është mirë që drejtësia të veprojë dhe të sqarojë rastin. Por, nuk shoh arsye që ata që nuk pajtohen politikisht me mua, të bëjnë luftë edhe ndaj anëtarëve të familjes sime.”

“Se a ka gabuar apo jo djali im që i ka thënë një të riu të bashkëngjitet në LDK, le të vendosë drejtësia.”

“Insistimi që mediat dhe politika të paragjykojnë drejtësinë është i rrezikshëm për demokracinë tonë. Prandaj, i ftoj të gjitha mediat por edhe kundërshtarët e mi politikë që të jenë korrektë dhe që luftën politike ta zhvillojnë me mua si Kryetar të LDK-së, e jo me familjen time”.