Isa Mustafa e “izolon” Lutfi Hazirin, nga Prapashtica jep këtë mesazh

Fillimisht sot gjatë ditës Lutfi Haziri është kritikuar dhe goditur nga Avdullah Hoti i cili tha se nëse Haziri ka mbështetur Thaçin ky do të ishte vetëm një opinion i një anëtari të LDK-së edhe pse kryetari i Gjilanit është nënkryetar i subjektit më të madh opozitar.

Lajme

06/07/2018 19:52

Goditja tjetër ka ardhur nga Ismet Beqiri i cili për lajmi.net tha se Haziri nuk mund të flas në emër të partisë, ndërsa e treta dhe më e rënda për Hazirin, ka ardhur pas takimit të kryetarit Isa Mustafa me kryetarë të degëve të LDK-së.

Pas takimit, në njoftimin e LDK-së thuhet se dialogu nuk mund të udhëhiqet përtej kompetencave kushtetuese, duke aluduar në deklaratën e Hazirit se presidenti Hashim Thaçi mund ta udhëheqë dialogun sepse këtë fuqi ia jep Kushtetuta.

Lutfi Haziri nuk është parë në takimin e Mustafës me kryetarët e degëve të mbajtur në shtëpinë e tij në Prapashticë.

Njoftimi i plotë i LDK-së:

Sot, kryetari i LDK-së Isa Mustafa mbajti takimin me kryetarë të degëve të LDK-së.

Të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale.

Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jo legjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese.

LDK pra është e gatshme të udhëheqë këtë proces të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë që ka projektuar dhe ka themeluar shtetin e  Kosovës, secili proces i pakushtëzuar ndaj rendit tonë kushtetues përbën naivitet politik të rrezikshëm dhe është skajshmërisht i dëmshëm për pozicionin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

LDK do të punojë në terren për tu përgatitur për zgjedhjet e ardhshme të cilat do të nxjerrin një qeveri legjitime.