Isa është ndalur në kohë

Haradinaj thotë se është kurioz ta dijë se kush ia ndali rrymën, derisa po fliste: Hashim Thaçi apo Isa Mustafa. Pastaj, pavarësisht mungesës së rrymës, ngriti zërin e tij të kritikës ndaj të dy liderëve.

Lajme

13/10/2013 16:14

Ramush Haradinaj, sot, gjatë një tubimi me banorët e Lagjes Dardania, nuk arriti ta kuptojë kush ia ndali rrymën dhe uli zërin e zmadhuesve derisa ato po përçonin premtimet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në këtë lagje.

Haradinaj pohoi se është pak kurioz që ta dijë se cili ia ndal rrymën: Hashim Thaçi apo Isa Mustafa. Dhe, pastaj, pavarësisht mungesës së rrymës, ai ngriti zërin e tij të kritikës ndaj të dy liderëve.

“Me kujtohet kur ka qenë fushata, edhe pse nuk kam qenë pjesë e saj, e kemi pasur një premtim 24 orë energji, nuk e di si ka shkuar puna, qytetarët e dinë”.

“Pastaj, premtimi tjetër zero korrupsion”.

“Po, nëse flasim për Prishtinën, i kam rënë edhe përpara këndej dy-tri herë, jo më shumë, por nuk po shoh ndonjë ndryshim, sikur ta ndalim kohen, sikur të interesohej dikush me ndalë kohën”.

“Një qytet kaq dinamik, kaq i gjallë, me shumë njerëz, imagjinojeni qeverisjen e Mustafës që është ndalur në kohë”.

Kandidati i AAK’së për Kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, tha se ai sot po nënshkruan kontratë me banorët e Lagjes Dardania të Kryeqytetit, në mënyrë që të nisin ndryshimin me 3 nëntor, kur ai me plot besim deklaroi se do të fitojë.

“Një ndër problemet kryesore që jemi ballafaquar me banorët e Dardanisë është siguria publike”.

“Ne kemi paraparë disa veprime konkrete që në radhë të parë e krijojnë një lagje të sigurt, ku fëmijët mund të dalin lirshëm të ecin, ku grup moshat e reja mund të dalin në lokacionet e tyre që kanë qenë shumë vite në Dardani shumë të bukura, e mbi të gjitha duke bërë investime konkrete në aspektin e ndriçimit dhe vendosjes së kamerave në mënyrë që të përcjellim në detaje 24 orë sigurinë e kësaj lagjeje”

Tahiri në kontratën e tij me banorët e lagjes Dardania ka paraparë edhe pika të tjera për ndryshim, siç janë investimet në ndreqjen e platosë mbi Kurriz, funksionalizimin e kompleksit të rinisë dhe edukimit, siç është funksionalizimi i Bibliotekës, e po ashtuu ndërtimi i këndeve për lexim në hapësira të hapura.