Isa Boletini ‘tradhtohet’ nga Vlora e Ismail Qemalit

Klan Kosova mëson se heqja e qytetit të shpalljes së pavarësisë nga agjenda e gjatë e homazheve për heroin në mbarë trojet kombëtare, u bë për shkak të hidhërimit të dikujt pse nuk piu ujë plani i rivarrimit të eshtrave të tij në Vlorë.

Lajme

08/06/2015 10:48

Isa Boletini nuk do të shkojë më kurrë në Vlorë, as si i vdekur!

Kjo pasi eshtrat e heroit kombëtar, nuk do të dërgohen as për homazhe në qytetin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, akt ky të cilin patrioti nga Mitrovica nuk e kapi për shkak të vonesës e pengesave gjatë rrugë për të mbërritur atje.

Agjenda publike e treguar sot nga këshilli organizativ për rivarrimin e tij, nuk parasheh, në asnjë pikë, qëndrimin në Shqipëri, njofton Klan Kosova. Isa, sipas kësaj agjende, nuk shkon përtej Prizrenit, ku eshtrat e tij ekspozohen në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare.

Më parë ishte thënë se eshtrat e njërit prej dy ikonave kryesore të shpalljes së pavarësisë së shtetit (të paktën për sa i përket perceptimit kosovar) do të dërgohen në Vlorë, prej nga ku do të fillonte rrugëtimi i fundit për Boletin.

Burime të pakonfirmuara i kanë thënë Klan Kosovës se heqja e qytetit shqiptar nga agjenda u bë pas hidhërimit të dikujt për ndryshimet në planin që heroi të varroset përkrah Ismail Qemajlit.

Vendimi për rivarrim në Vlorë ishte marrë më 13 maj, ndërsa kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe zv/kryeministri kosovar, Hashim Thaçi e kishin dhënë me pompozitet lajmin, duke marrë edhe “njëfarë” pajtimi të familjarëve të heroit për këtë punë.

Megjithatë, gjërat ndryshuan pas reagimeve të ashpra në Kosovë, e sidomos në Mitrovicë, lidhur me këtë vendim.

Si përfundim, eshtrat e Isa Boletinit dhe bashkëpunëtorëve të tij, të vrarë në janar të vitit 1916 në Podgoricë të Malit të Zi, do të varrosen të mërkurën, më 10 qershor, në orën 15, në fshatin e tij të lindjes, Boletin, që tashti është pjesë e komunës me shumicë dërmuese serbe, Zveçanit.