Ironizon Stankoviq: Asociacioni i shpallur nga shqiptarët nuk vlenë asgjë

Presidenti i Trupit Koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Zoran Stankoviq ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbinë jugore nuk vlenë asgjë.

Lajme

13/09/2015 16:44

Stankoviq ka thënë se këto komuna, si gjithmonë, mund të llogarisin në të drejtat që ua garanton Kushtetuta e Serbisë, ligjet serbe, konventat ndërkombëtare për të drejtat e minoriteteve, duke shtuar se kjo është korniza brenda së cilës ky Asociacion mund të veprojë, transmeton Indeksonline.

“Nuk vlen asgjë, është vetëm një lëvizje që ka për synim të shkaktojë një tronditje momentale, jo vetëm në mesin e njerëzve në këto komuna, por edhe në mesin e qytetarëve të tjerë serbë”, ka thënë Stankoviq për “Pink TV”.

Stankoviq ka thënë se shteti serb do të veprojë në mënyrë adekuate në të ardhmen, por pa përdorimin e forcës.

“Ka ligje përmes të cilave mund të veprojmë, por jo me pushkë, do të shohim se çfarë kërkojnë”, ka thënë ai.

Këshilltarët komunalë të tri komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, dje kanë miratuar me unanimitet themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Shqiptare të Luginës së Preshevës.

Në mbledhjen e përbashkët të këshilltarëve komunalë ishin të pranishëm 43 këshilltarë, ndërsa mbledhjen e bojkotuan dy partitë opozitare – Partia për Veprim Demokratik e Riza Halimit dhe Unioni Demokratik Shqiptar i Ramiz Zylfiut.

Në mbledhjen e mbajtur në Kuvendin e komunës së Preshevës është thënë se Asociacioni po themelohet në shenjë reciprociteti me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë.