Irinej: Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është në rrezik të madh

Patriarku serb Irinej, pas prononcimit të djeshëm, ku ka kërcënuar me forcë nëse nevojitet që të mbrohet Kosova dhe trashëgimia serbe, sot përmes një deklarate për media ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është në rrezik të madh.

Lajme

04/11/2015 13:03

“Mbështetësit e të ashtuquajturit shtet i Kosovës dëshirojnë të anëtarësojnë vendin në UNECSO, dhe në këtë mënyrë ta konfiskojnë trashëgiminë kulturore serbe”, ka theksuar ai, shkruajnë mediat serbe, ndërsa transmeton KosovaPress.

Irinej, në emër të Kishës Ortodokse Serbe ka bërë thirrje që “të gjithë njerëzit e përkushtuar dhe ortodoksë, ata të vullnetit të mirë dhe ata që kujdesen për drejtësinë në botë, ta kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, e cila do të jetë e barasvlershme me një katastrofë humanitare dhe shkatërrim të objekteve të shenjta të trashëgimisë ortodokse në Kosovë dhe botë”.

Irinej ka thënë po ashtu se ai i ka dhënë informacionet e nevojshme në sajtin www.saveworldheritage.com, se çfarë mund të ndodh nëse Kosova anëtarësohet në UNESCO.

“Jemi të bindur se këto informacione që janë në dispozicion do të ndihmonin, për informim më të shpejtë dhe efikas. Besojmë se do të ndihmojë anëtaret e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s, pavarësisht të gjitha presioneve, që të marrin vendimin e duhur përpara seancës dhe ta ruajnë trashëgimin ortodokse serbe në provincën jugore serbe”, ka thënë Irinej. /KosovaPress/