Irani: SHBA, fajtore për sulmin e së shtunës

Presidenti iranian po fajëson Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj arabë të Gjirit Persik, për sulmin e ashpër në një paradë ushtarake në Iran, që vrau të paktën 25 vetë dhe plagosi rreth 70 të tjerë.

Bota

23/09/2018 23:53

Hasan Rouhani, duke folur para se të largohej nga Teherani për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha: “Amerika po vepron agresivisht ndaj pjesës tjetër të botës”.

Kreu iranian vijoi se reagimi i vendit të tij ndaj sulmit është “brenda kuadrit ligjor dhe interesave tona kombëtare”. Rouhani tha se Shtetet e Bashkuara do të pendohen për “agresivitetin” e tyre.

Ambasadorja amerikane në OKB Nikki Haley dënoi sulmin vdekjeprurës, dhe shtoi se udhëheqësit e vendit duhet të shohin brenda vendit për të gjetur shkakun e trazirave.