Irani mohon ta ketë bombarduar “Shtetin Islamik”

E plotësuar: Një zyrtar i lartë iranian, duke folur për Reuters me kusht anonimiteti, ka mohuar se nga Irani ka pasur sulme ajrore në drejtim të militantëve të Shtetit Islamik në Irak, ashtu sikurse ka njoftuar Pentagoni.

Bota

03/12/2014 10:21

“Irani kurrë nuk ka qenë i përfshirë në sulme ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Irak”, ka thënë zyrtari irakian, disa orë pasi zëdhënësi i Pentagonit, admirali John Kirby ka bërë me dije se Irani nga territori i tij, ka sulmuar militantët islamikë gjatë ditëve të fundit.

Kirby ka thënë se ditëve të fundit ka pasur sulme nga ana e Iranit, por sipas tij, sulmet ajrore nuk kanë qenë të koordinuara me forcat amerikane që udhëheqin luftën e aleatëve kundër Shtetit Islamik.

———————————-

Edhe Irani bombardon ISIS-in

Irani ka kryer sulmet ajrore kundër militantëve dhe caqeve të “Shtetit Islamik” në Irakun e lindor. Pentagoni ka njoftuar se kryerja e këtyre sulmeve është bërë pa koordinim me Washingtonin. Edhe Teherani zyrtar ka demantuar zërat se sulmet janë kryer në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.

Admirali amerikan John Kirby ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë në diejni se gjatë ditëve të fundit avionët luftarak “F-4 Phantoms” të Iranit kanë fluturuar mbi hapësirën ajrore të Irakut, por kjo nuk është bërë në koordinim me Shtetet e Bashkuara.

“Ne koordinohemi me qeverinë irakiane dhe është përgjegjësi e kësaj qeverie për të lejuar ose jo fluturimet dhe sulmet e shteteve të tjera ndaj caqeve të Shtetit Islamik”, ka thënë Kirby, duke bërë të ditur se politika amerikane për mos-koordinim të veprimeve ushtarake me Iranin nuk ka ndryshuar.

Edhe zëvendës/shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneral brigade Massoud Jazayeri, mohoi bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se Teherani zyrtar konsideron se Shtetet e Bashkuara janë përgjegjës për “problemet dhe trazirat” në Irak, dhe se “nuk kanë të ardhme” në këtë shtet.

Irani udhëhiqet nga myslimanët shia dhe analistët vlerësojnë se lidhjet e forta me qeverinë e Irakut, që po ashtu udhëhiqet nga shia, kanë çuar deri tek koordinimet luftarake kundër militantëve që kanë vënën nën kontroll një pjesë të madhe të territorit të Irakut dhe Sirisë.    

Që nga revolucioni islamik në vitin 1979, SHBA dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara. Washingtoni vite më pas shkëputi raportet pasi studentët iranianë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng 52 amerikanët. Ata u liruan në 1981.

Ndërkohë, përfaqësuesit e koalicionit ndërkombëtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që po kryejnë sulme ajrore ndaj militantëve islamikë në Irak dhe Siri, janë mbledhur në selinë e NATO-s në Bruksel për një samit, ku do të diskutohet strategjia e re e luftës kundër Shtetit Islamik.

Bisedimet në Bruksel do të drejtohen nga Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili do të fokusohet në strategjinë ushtarake, si dhe mënyrat e frenimit të fluksit të luftëtarëve të huaj që tentojnë t’i bashkëngjiten “Shtetit Islamik” dhe propagandës së këtij shteti, raporton AFP, transmeton lajmi.net.

“Shteti Islamik” i shpallur nga organizata terroriste “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS), në emër të besimit fetar, ka filluar ofensivat e saj në këto dy shtete qysh në muajin maj, duke vrarë dhe masakruar mijëra civilë, dhe duke vënë nën kontroll një pjesë të mirë të territorit të tyre. /lajmi.net/